Çelësi i fjalëve të Kishës:kuptimi i krishterë i fjalës “kohë”.
(17.09.2009 RV)Poeti latin Ovidi e quante kohën “edax rerum”, pra një
konsumuese të pangopur të gjërave. Pa dyshim që koha është cilësia, që i përshtatet
më shumë realitetit tonë prej krijesash të fundme, të kufizuara. Është gati përkufizimi
i qenies sonë të vdekshme, siç këndon Psalmisti, i cili krahason “ditët e njeriut
me barin e me lulen e fushës: lulëzon, sa e prek era e më s’është…Jeta jonë zgjat
shtatëdhjetë vjet, po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë, por shumica me mundim e dhimbje,
kalojnë shpejt e ne zhdukemi” (90,5-6.10; 103,15-16). Duke lexuar Biblën kuptojmë
se ne jemi në këtë botë vetëm për një periudhë të caktuar, që s’është asgjë në krahasim
me amshimin hyjnor, para të cilit “një ditë është si njëmijë vjet, po edhe njëmijë
vjet janë si një ditë e vetme” (2 Pjt 3,8). Por koha në Shkrimin e Shenjtë nuk
është kalimi i kotë i orëve dhe i ditëve, por një rrugë që e çon historinë e njerëzimit
drejt një caku, një qëllimi. Në vizionin mesianik për shembull, koha na çon drejt
shëlbimit në të ardhmen, ndërsa libri i Zbulesës ravijëzon shpresën e Jeruzalemit
të ri, në të cilin nuk do të ketë më vdekje (21,4). Në fakt, Zoti hyn në kohë,
por shkon përtej tri përmasave të kohës, të shkuarës-të tashmes-të ardhmes, sepse
Hyji është “Ai që është, që ishte dhe që po vjen” (Zbulesa 1,8). Veprat e tij
shëlbuese realizohen përmes ngjarjeve historike, si historia e patriarkëve, çlirimi
i izraelitëve përmes daljes nga Egjipti, dhurata e tokës, etj.. Vetë Biri i Zotit,
Jezu Krishti hyn në kohën njerëzore. Kemi kështu, një konceptim fetar të kohës, që
bëhet edhe shtëpia e Zotit e jo vetëm e njerëzimit. Për këtë arësye, kalendari nuk
është vetëm civil, por edhe fetar, ku të shtunat e të dielat, si edhe ditët e festave
janë shenjë e pranisë hyjnore në kohë. Në interpretimin biblik të kohës ka përjashtime
nga ky vizion. Për shembull, në Librin e Kishtarit, koha konceptohet si një cikël
që përsëritet: “Çka qe është tani e do të jetë pastaj. Çka qe bërë është tani e
do të bëhet pastaj: s’ka asgjë te re nën diell!” (1,9). Po Kishtari përshkruan
28 (7x4 sipas mistikës së lashtë të shifrave) “kohët dhe momentet” që do të ndjekin
njëra-tjetrën mbi faqen e Tokës. Një vizion tjetër është ai që na sugjeron e ashtuquajtura
leteraturë apokaliptike, e cila duket se e nënçmon kohën, duke e konsideruar vetëm
si selinë e së keqes, ku mbizotëron Djalli, duke e paraqitur si një horizont të destinuar
për t’u zëvendësuar nga përjetësia hyjnore, e plotë dhe e përsosur. Por në pjesën
më të madhe, perspektiva e Biblës e konsideron kohën vendin në të cilin ne ndërtojmë
të ardhmen tonë:që tani, fara e shëlbimit është mbjellë në histori, presim
vetëm që të rritet deri në lulëzimin e plotë, siç na mësojnë shembëlltyrat e treguara
nga Jezu Krishti (Mk 4, 26-29; Mt 13,31-32) dhe Shën Gjoni Ungjilltar (3,16-18).