Qeveria e re e Shqipërisë, filloi sot mbledhjen e parë, menjëherë pas betimit para
Presidentit të Republikës.
(17.9.2009 RV)Qeveria e re e Shqipërisë, nën drejtimin e kryeministrit Sali
Berisha, zhvilloi paraditen e sotme mbledhjen e parë, menjëherë pas ceremonisë së
betimit të anëtarëve të saj, të zhvilluar para Presidentit të Republikës, Bamir Topit.
Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave të Tiranës u vu në përdorim
projekti 'igovernement', i cili sipas kryeministrit Berisha do të thotë shpejtësi
dixhitale për kabinetin e ri. "|Të gjithë ministrave nuk duhet t'i mungojë angazhimi
për shndërrimin në realitet të programit më ambicioz të qeverisë", u shpreh ai.
Sali Berisha siguroi se gjatë punës së qeverisë gjithçka do të jetë transparente,
në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet ministrore. "Igovernement' do të thotë
reforma të thella dhe të mëdha që në katër vjet do ta formëzojnë vendin në një Shqipëri
tjetër, me një infrastrukturë moderne", tha kreu i Qeverisë. Kryeministri
ftoi sërish opozitën që ta lexojë me vërtetësi raportin e ndërkombëtarëve për zgjedhjet
e 28 qershorit dhe të vijë në parlament për të mirën e vendit. "Opozita të kthehet
në parlament dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë, në të mirë të
bashkëpunimit për reformat e mëdha dhe për të adresuar më tej rekomandimet e OSBE/ODIHR
për zgjedhjet", tha kryeministri Berisha. Qeveria e re e përbërë nga 15 anëtarë
u dekretua të hënën nga Presidenti i Republikës, ndërsa dje në mbrëmje u votëbesua
në parlament. Para fillimit zyrtarisht të punës, anëtarët e Këshillit të Ministrave
u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë një ceremonie zyrtare
në Pallatin e Brigadave. Nga ATSH-ja