2009-09-17 14:18:56

Papa: të shmanget laicizimi i priftërinjve e klerikalizimi i laikëve. Priftërinjtë të mos largohen nga misioni tyre i veçantë


(17.9.2009 RV)Dallimi ndërmjet meshtarisë së përbashkët të të gjithë besimtarëve të pagëzuar dhe meshtarisë së shuguruar të priftërinjve, një ndër pikat më të ndjeshme të jetës së Kishës, u ripohua sot nga Papa Benedikti XVI në fjalimin e tij drejtuar njërit prej gupeve të ipeshkvijve të Brazilit, atij të rajonit Verilindje 2, në Romë për vizitën e tyre pesëvjeçare ‘ad Limina Apostolorum’.
“Të shmanget laicizimi i priftërinjve e klerikalizimi i laikëve”: këtë kërkoi Papa duke shpjeguar në mënyrë të harmonishme, të drejtë e të qartë marrëdhëniet ndërmjet meshtarisë së përbashkët të laikëve dhe meshtarisë së shuguruar të priftërinjve. Benedikti XVI e rinovoi porosinë e tij priftërinjve të cilët i ftoi ta jetojnë me ndershmëri dhe besnikëri mandatin e misionin e tyre meshtarak. “Është e rëndësishme - shpjegoi Papa që secili të veprojë e të punojë në kushte dhe sipas mundësive që ka”. Prandaj “laikët le të impenjohen në realitetin e përditshëm në forma e në fusha të ndryshme të shoqërisë, edhe përmes pjesëmarrjes në politikë, sipas vizionit antropologjik të krishterë dhe doktrinës shoqërore të Kishës”. Në anën tjetër “priftërinjtë - shtoi Ati i Shenjtë Racinger - duhet t’i shmangen pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë e personale në politikë, sepse e kanë për mision të favorizojnë afrimin dhe bashkimin e të gjithë besimtarëve e kështu të jenë gjithmonë pikë referimi për të gjithë”.
“Të kujtojmë se misioni i shpëtimit që Hyji Atë e deshi përmes të Birit të mishëruar, i qe besuar pastaj apostujve dhe pasardhësve të tyre.
Benedikti XVI pra i këshilloi ipeshkvijtë e Brazilit t’i “përqendrojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që në dioqezat e tyre të ketë thirrje të reja”, e të veprojnë në atë mënyrë që të ketë “më shumë meshtarë e më mirë të formuar”, duke mos harruar se “funksioni thelbësor dhe i pazëvendësueshëm i priftit është kumtimi i Fjalës së Zotit, ai i kremtimit të Sakramenteve, para së gjithash i Eukaristisë. Nga kjo buron edhe lutja drejtuar Krishtit që të dërgojë punëtorë në vreshtin e vet”.
Duke vlerësuar “shenjat të shumta shprese” në realitetin e sotëm e të ardhshëm të Kishës braziliane, Papa foli për “një të ardhme që Zoti është duke përgatitur përmes zellit e besnikërisë me çka ipeshkvijtë e ushtrojnë misionin e tyre ipeshkvnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.