2009-09-17 11:19:59

Imzot Ravazi analizon elementet që karakterizojnë shoqërinë e sotme ndaj elementit fetar, shpirtëror, këndej ndaj Zotit


(17/9/2009 RV)Me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vazhdojmë bisedën mbi temën e kulturës në botën e globalizuar. Sot imzot Ravazi ndalet tek elementet që karakterizojnë shoqërinë bashkëkohore ndaj elementit fetar, shpirtëror, këndej Zotit. Si mund ta zbulojë njeriu materialist përmasën e tij shpirtërore, përmes kulturës? Ta dëgjojmë imzot Xhanfranko Ravazin:

Përgjigje: - Problemi i vërtetë në kulturën bashkëkohore, parë nga këndvështrimi fetar, nuk është aq ai i ateizmit ose i flakjes sistematike, pa asnjë lëkundje, me vetëdije, të përmasës së mbinatyrshme, që tashmë ndeshet tepër rrallë. Elementi themelor sot është ai i indiferencës, i ateizmit të parë në përgjithësi, në mënyrë të përciptë, banale, që arrin vetëm deri atje, sa ta konsiderojë problemin fetar ose atë etik, si problem të dorës së dytë, që nuk i trazon më ndërgjegjet, që nuk e shqetëson më njeriun me pyetjet themelore mbi rrugën e mbi kuptimin e jetës. Jemi edhe përballë botimit të disa librave, që në dukje janë ateiste. Është aq e vërtetë, sa po përdoret edhe fjala ateologji. Po këto s’janë tjetër, veçse lojëra të shoqërisë, janë ngërdheshje, ironi, sarkazëm kundër feve. Nuk janë ballafaqim i rreptë, kritik. Ja, pra, cila është sot drama e vërtetë: kemi përballë një lloj mjegulle: Hyji është shumë-shumë një nga elementet, që nganjëherë ndjehet në jetë, por duke mbetur gjithnjë në skutë, në plan të dytë. Prandaj njeriu bashkëkohor interesohet vetëm për të sotmen, për të përditshmen, për gjërat e rastit, nuk ka më mundësi t’i ngrejë sytë lart, të pyesë a ka ndonjë gjë edhe përtej së përditshmes. Kjo është formë e materializmit të ri, jo më teorik, marksist, dialektik, një vizion i botës, një konceptim i ndryshëm nga ai i krishterimit. Kjo është një sjellje ngjyrë hiri, siç thoshte filozofi i krishterë i tetëqindës, Kirkegaard, i cili e kishte nuhatur prej kohe këtë problem: “Anija e botës sot nuk është më në dorë të komandantit, por të gjellëbërësit. E ajo që transmeton mikrofoni, nuk ka të bëjë më me drejtimin, me rrugën, në të cilën duhet lundruar, por me atë që do të hamë nesër!”. Televizioni, komunikimi aktual, na propozon vazhdimisht moda të reja, mënyra të reja jetese, sende e konsume të reja. Nuk e ka kurrë aftësinë të ngjallë në shpirtin e njeriut pyetjet e mëdha mbi kuptimin e jetës së tij. Ateizmi klasik tradicional bënte pyetje të mëdha, jepte edhe përgjigje, të ndryshme nga ato të krishtera. Kurse sot sundon ngjyra gri, sundon indiferenca, sundon kjo formë e re e idhujtarisë. E prej këndej, detyra kryesore e feve dhe e kulturës, e kulturës së vërtetë, është të ngjallin shqetësim, gjendje krize, pyetje, ta shkundin këtë atmosferë të zymtë, për ta bërë shpirtin e njeriut të ndriçojë përsëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.