2009-09-17 15:29:47

Benedikti XVI viziton e bekon selinë e re të Observatorit të Vatikanit në Kastel Gandolfo


(17.09.2009 RV)Benedikti XVI vizitoi e bekoi dje pasdite Selinë e re të Observatorit të Vatikanit në në Kastel Gandolfo. Në mikrofonin tonë flet drejtori i Observatorit, Atë Hoze Gabriel Fuentes, jezuit. Ta ndjekim:

Përgjigje: Qe një vizitë, do të thosha familjare sepse ishte vetëm bashkësia e etërve jezuitë dhe disa përfaqësues dhe inxhenjerë që bënë rikonstruksionin e kuvendit si edhe disa nga nëpunësit tanë. U gëzuam shumë që Ati i Shenjtë erdhi mes nesh.

Pyetje: Ky qe vazhdim i traditës së vizitave papnore pranë Observatorit, apo jo?

Përgjigje: Në fakt, dje Ati i Shenjtë nënshkroi një pergamenë. Papa i parë që e ka nënshkruar këtë pergamenë ka qenë Papa Piu XI, po në të njëjtën ditë, më 16 shtator, por 75 vjet më parë, dhe kjo tregon për traditën e Observatorit Vatikanas, për interesin që papët kanë treguar për të. Me vizitën e Papës Benedikti XVI nis një periudhë e re në historinë e Observatorit.

Pyetje: Në selinë e re është sjellur koleksioni shumë i vlefshëm i meteoritëve si edhe disa objekte të vjetra me vlerë si teleskopë, astrolabë etj. A pati mundësi Papa t’i shihte?

Përgjigje: Në veçanti i treguam një meteorit që mendohet se ka ardhur nga planeti Mars. Është një gjë shumë e çmueshme. As papa vetë nuk pati mundësi ta prekte. Kjo sa për të thënë se ç’vlerë të jashtëzakonshme ka kjo copë meteoriti. Më pas Papa Racinger vizitoi bibliotekën, pau disa ndër librat më të vjetër si edhe vizitoi banesën e bashkësisë të etërve jezuitë. Qe një vizitë shumë e bukur.







All the contents on this site are copyrighted ©.