2009-09-16 15:48:54

Papa kujton Simeon Teologun e Ri në audiencën e përgjithshme: Zoti na shtyn t’i përgjigjemi urrejtjes me dashuri e fyerjes me falje


(16.09.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI e përqëndroi audiencën e sotme të përgjithshme në Sallën Pali VI në Vatikan në figurën e Simeon Teologut të Ri. Ati i Shenjtë u ndal në përvojën shpirtërore të murgut lindor, i cili ka jetuar në shekujt X e XI në Kostandinopojë.
“Njohja e vërtetë e Zotit nuk vjen nga librat, por nga përvoja shpirtërore”: ky është një nga mësimet e Simeonit, që njëmijë vjet më parë nënvizoi rëndësinë e “kthimit të zemrës, falë forcës së fesë e të dashurisë”. Ky kthim, theksoi Papa, kalon përmes pendimit të thellë e dhimbjes së sinqertë për mëkatet, që të arrihet bashkimi me Krishtin, burim gëzimi e paqeje. Pra, Simeon Teologu i Ri i jep rëndësi të madhe jetës shpirtërore:
“Nëse në fakt, me të drejtë shqetësohemi për rritjen tonë fizike, njerëzore dhe intelektuale, është edhe më e rëndësishme të mos e lëmë mënjanë rritjen e brendshme, që ka të bëjë me njohjen e Zotit e bashkimin me Të, për të provuar ndihmën e tij në çdo moment e rrethanë”.
Dashuria e Zotit, na kujton më pas Simeon Teologu i Ri, rritet brenda nesh nëse qëndrojmë të bashkuar me Hyjin me anë të lutjes e dëgjimit të Fjalës së Tij:
“Vetëm dashuria hyjnore na bën t’ia hapim zemrën të tjerëve e na bën të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre, duke na shtyrë t’i konsiderojmë të gjithë si vëllezër e duke na ftuar t’i përgjigjemi me dashuri urrejtjes e me falje fyerjes”.
Një leksion ky, që Simeoni e vuri në jetë, shpjegoi Benedikti XVI. Me të vërtetë, ai qe viktimë e moskuptimeve e vuajti edhe internimin, para se të rehabilitohej nga Patriku i Kostandinopojës, Sergjo II. E megjithatë nuk ndjeu urrejtje për armiqtë, siç tha Ati i Shenjtë:
“Si ta shpjegojmë këtë? Natyrisht një dashuri e tillë nuk mund të vinte prej tij, por duhej të rridhte nga një burim tjetër. Simeoni e kuptoi se vinte nga Krishti i pranishëm në të e gjithçka iu bë e qartë: pati provën e sigurtë se burimi i dashurisë brenda tij ishte prania e Krishtit”.
Papa nuk mungoi të kujtonte përvojën e bashkimit mistik të Simeonit me Zotin, i cili pikërisht nga kërkesa që vinte nga brenda vetes deshi një udhëheqës shpirtëror, të cilin e gjeti në personin e Simeon të Pëshpirtshmit, një murg i thjeshtë i Kostandinopojës. Duke u nisur nga kjo, Papa theksoi:
“Mbetet e vlefshme për të gjithë – meshtarë, persona të shuguruar e laikë, sidomos të rinj – ftesa për të dëgjuar këshillat e një ati të mirë shpirtëror, të aftë ta shoqërojë secilin në njohjen e vetvetes, ta çojë në bashkimin intim me Zotin, që jeta e tij t’i përshtatet gjithnjë e më shumë Ungjillit”.
Çfarë mbetet pra nga figura e madhe e murgut mistik, që e ka ndikuar aq shumë teologjinë dhe përshpirtërinë e Lindjes? Papa e sintetizoi kështu trashëgiminë shpirtërore të Simeon Teologut të Ri, në përfundim të katekizmit:
“Në kërkimin e pareshtur të Zotit, pavarësisht nga vështirësitë e nga kritikat që pati, ai u udhëhoq nga dashuria. Diti të jetojë ai vetë e t’u mësojë murgjërve të tij se thelbësore për çdo dishepull të Krishtit është të rritet në dashurinë e njohjen e Hyjit, për të pohuar sëbashku me Shën Palin Apostull: “Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua”.
Gjatë përshëndetjes së shtegtarëve të mbledhur në Sallën Pali VI, Ati i Shenjtë kujtoi se dje Kisha kremtoi festën liturgjike të Zojës së Dhimbshme. U bëri prandaj, thirrje të rinjve, të sëmurëve, të sapomartuarve t’i drejtohen me besim Shën Marisë në momentet e vështira:
“Të dashur të rinj, mos kini frikë të qëndroni edhe ju si Maria pranë Kryqit, për të gjetur guximin të kapërceni çdo pengesë në jetë. E ju, të dashur të sëmurë, gjejeni te Zoja ngushëllimin e mbështetjen për të kuptuar nga Zoti i Kryqëzuar vlerën shëlbuese të vuajtjes. Ju, të dashur të sapomartuar, në vështirësi, drejtojuni me besim Virgjërës së Dhimbshme, e cila do t’ju ndihmojë t’i kaloni me ndërhyrjen e saj amnore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.