2009-09-16 16:55:34

Intervistë me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës mbi sfidat në botën e globalizuar




(16.09.2009 RV)RealAudioMP3 Koha në të cilën jetojmë, në dukje e qetë në vendet e kamura, krejtësisht e shqetë në vendet e varfëra, ku ndizen vazhdimisht vatra të reja dhune, i krijon njerëzimit një sërë problemesh ekonomike e shpirtërore. Por me që njerëzimi interesohet më tepër për ato ekonomike, menduam të vemë theksin mbi problemet shpirtërore, që shtron për zgjidhje bota e sotme, e globalizuar, plot me sfida të reja. Po cilat janë këto sfida?
Përgjigjet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Xhanfranko Ravazi, me një intervistë të gjatë, ku trajton temën e kulturës në botën e globalizuar, atë të gjuhës me të cilën merren vesh të rinjtë e sotëm; të qëndrimit të brezave të rinj ndaj Biblës, atë të veseve kryesore të njerëzve në ditët tona….

Pyetje: - Cilat janë sfidat kulturore në botën e globalizuar?

Përgjigje: - Kryesisht, mund të themi se janë dy, pavarësisht nga ndërlikimet e situatës bashkëkohore e të situatës shoqërore në botë. Dua të vë theksin vetëm mbi dy që, për natyrën e tyre, janë pothuajse në antitezë me njëra-tjetrën. Nga njëra anë është sfida e kërkimit dhe e kuptimit të vijave kryesore të komunikimit global. Ne e dimë se zakonisht, kur flitet për globalizimin, mendohet për të kryesisht si fenomen ekonomik, por në të vërtetë është sidomos fenomen që ka të bëjë me komunikimin. E brenda këtij komunikimi ka disa rrugë, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë, si për vendet e Afrikës e të Azisë, ashtu edhe për vendet evropiane. Prandaj ka shumë rëndësi të dallojmë me saktësi cilat janë disa nga tiparet kryesore të këtij komunikimi, mënyrat si realizohet e edhe përmbajtjen e tij themelore. Nga ana tjetër, kemi një aspekt që i bie ndesh të parit, është në antitezë me të. E kjo është aq e vërtetë, sa në ditët tona flitet edhe për glokalizim, e jo më vetëm për globalizim, gjë që tregon se kultura, etnitë, vendet e veçanta duan ta ruajnë identitetin e tyre. Kjo ka të bëjë edhe me vendet e vogla evropiane, që ndoshta-ndoshta nuk kanë tradita të mëdha, siç mund të kenë, për shembull Italia, Franca, Spanja ose Gjermania, por megjithatë duan të marrin pjesë në këtë dialog universal, që është globalizimi, duke i folur botës me gjuhën e tyre, duke i përçuar traditat e tyre, historinë e tyre, nganjëherë edhe me gjithë çoroditjet e tyre të tipit nacionalistik. Prandaj ka shumë rëndësi për kulturën të krijojë drejtpeshimin e duhur ndërmjet gjuhës universale e karakteristikave të veçanta, vetjake. Nga njëra anë kemi komunikimin, disa vlera, elemente, që sot u përkasin të gjitha vendeve, sepse tashmë të gjithë i kanë antenat parabolike mbi çati, që nga vendet më të zhvilluara, tek kasollet afrikane; por nga ana tjetër ndjehet fort edhe dëshira për t’i ruajtur identitetin dhe traditat vetjake.







All the contents on this site are copyrighted ©.