2009-09-16 17:00:53

Imzot Zimovski: shëndetësia dominohet jo nga etika, por nga logjika industriale. Ekziston rreziku i një katastrofe humanitare botërore


(16.09.2009 RV)RealAudioMP3 Ekziston rreziku i një katastrofe humanitare e shëndetësore botërore: ky është shqetësimi i Papës Benedikti XVI, që kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, imzot Zigmunt Zimovski e shprehu në Kongresin Botëror të Federatës Ndërkombëtare të Framacistëve Katolikë. Takimi u zhvillua në Poznan të Polonisë mbi temën: “Siguria e ilaçeve: etika dhe ndërgjegjia e farmacistit”.
“Në shumë zona – denoncoi prelati – mungojnë ilaçet më të domosdoshme, asistenca bazë që garanton jetën. Shpesh, për motive ekonomike, nuk kurohen sëmundje tipike të vendeve në zhvillim, sepse, megjithëse u shkaktojnë vdekjen miliona njerëzve, nuk përbëjnë një treg të pasur. Disa nga këto ilaçe mund të realizohen lehtë mbi bazën e njohurive aktuale shkencore, por nuk e shohin dritën e diellit për motive thjesht ekonomike, pasi të sëmurët nuk kanë mundësi të mjaftueshme për t’i blerë. Duket qartë –theksoi imzot Zimovski – se zhvillimi i ilaçeve nuk qeveriset më nga etika tradicionale e mjekësisë, por nga logjika e industrisë”.
Një problem tjetër dramatik – vazhdoi imzot Zimvoski – është falsifikimi i ilaçeve, gjë që dëmton kryesisht fëmijët. Antibiotikë e vaksina të rreme, me dozazh më të ulët, ose krejtësisht pa principin aktiv, shkaktojnë dëme të rënda për shëndetin e tyre. Të shumta janë vdekjet ndër fëmijët afrikanë, të cilët janë kuruar me ilaçe të falsifikuara, të blera edhe shtrenjtë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 30% e ilaçeve që shiten në Afrikën sub-sahariane, në Juglindjen aziatike dhe në Amerikën Latine janë fallco. Kreu i dikasterit vatikanas për shëndetësinë i ftoi farmacistët katolikë të denoncojnë pa frikë situata të tilla. Ja ç’tha vetë imzot Zigmunt Zimovski, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, Këshilli Papnor për Baritorinë e Shëndetit do të kremtojë 25-vjetorin e themelimit e dëshiroj t’i ftoj të gjithë farmacistët – shoqata e persona të veçantë – të ripërtërijnë identitetin e tyre si farmacistë katolikë dhe misionin në shërbim të shëndetit e të jetës, duke e ushtruar gjithnjë me ndërgjegje e shkencë profesionin e tyre. Dua edhe t’i nxis të impenjohen konkretisht për të sëmurët në vendet në zhvillim e në veçanti, për fëmijët, që ata të marrin ilaçet për të cilat kanë nevojë, sidomos përsa i përket luftës kundër SIDA-s, malaries e tuberkulozit. Përveç kësaj, këtë vit kremtojmë edhe 400-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Leonardit, që është Pajtori i farmacistëve: ai thoshte se Jezu Krishti është Eukaristia e me këmbëngulje vinte theksin pikërisht në Eukaristinë si ilaçi i amshimit, nga i cili ngushëllohemi, ushqehemi, shndërrohemi e marrim pjesë në natyrën hyjnore. Ky është urimi e lutja jonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.