2009-09-15 16:02:25

Nesër votëbesohet qeveria e re Shqipërisë


(15.9.2009 RV)Kuvendi pritet të miratojë nesër pasdite, në seancë plenare, programin politik dhe përbërjen e kabinetit të ri qeverisës.
Dekretimi i djeshëm i anëtarëve të qeverisë së re nga ana e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, i hapi rrugën miratimit në parlament të programit dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.
Rregullorja parlamentare dhe konkretisht neni 110 i saj përcakton procedurat që ndiqen nga Kuvendi për miratimin e programit dhe kabinetit të ri qeverisës.
Kryeministri paraqet në seancë plenare programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Më pas, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin lidhur me këtë program.
Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave është i hapur dhe me elektronikë.
Kuvendi i ri i Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, i hapi punimet e legjislaturës së XVIII-të më 7 shtator, në mungesë të deputetëve të Partisë Socialiste të opozitës. Kjo e fundit e ka kontestuar në vijimësi rezultatin e zgjedhjeve, duke kërkuar transparencë dhe hetim parlamentar për këtë proces.







All the contents on this site are copyrighted ©.