2009-09-15 16:04:07

Kardinali Bertone ipeshkvijve të rinj: Populli i krishterë ka nevojë për Bari të shenjtë.


(15.09.2009 RV)RealAudioMP3 “Bari të shenjtë”, për këtë ka nevojë populli i krishterë. Këtë vuri në dukje sot paradite kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit gjatë homelisë të Meshës që u kremtua në Bazilikën e Shën Pjetrit për pjesëmarrësit në Simpoziumin e Prelatëve të shuguruar dymbëdhjetë muajt e fundit. Simpoziumi në fjalë është organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë dhe po mbahet në Romë pranë Institutit Regina Apostolorum. Në të marrin pjesë 115 prelatë. Simpoziumi do të përfundojë të martën e ardhshme.

Besnikëri, maturi e mirësi, këto janë karakteristikat e shërbimit ipeshkvnor që Papa vuri në dukje të shtunën që kaloi gjatë homelisë të shugurimit të pesë ipeshkvijve. Po këtë temë preku edhe kardinali Bertone gjatë Meshës që u kremtua sot paradite. “Kjo është një nismë me dobi të madhe shpirtërore dhe baritore”, vuri në dukje kardinal Bertone, duke iu sjellë pikësëpari të gjithë pjesëmarrësve përshëndetjen dhe inkurajimin e Benediktit XVI.

“Besnikëria e shërbëtorit të Jezu Krishtit – shpjegoi kardinali Bertone – qëndron në faktin se nuk përpiqet që fenë e tij t’ia përshtasë modave të kohës”, por duke iu përcjellur njerëzve fjalët e tija të jetës së amshuar. E kjo është gjëja më e mirë që i është besuar meshtarit. “Kjo besnikëri, nënvizoi Sekretari i Shtetit Bertone – nuk është statike dhe as nuk është shterpë”, por përkundrazi është krijuese. Nga ana tjetër “maturia” që nuk ka asgjë të përbashkët me “dredhinë”, vuri në dukje kardinali Bertone, tregon “vendin e parë që zë e vërteta, e cila nëpërmjet maturisë bëhet kriter i veprimtarisë sonë. Pra, të jesh i matur do të thotë para së gjithash se duhet të jemi njerëz të së vërtetës dhe të arsyes së sinqertë”. Në fund, mirësia është e nevojshme për të kultivuar një orientim të brendshëm drejt Hyjit, që është e vetmja e Mirë, madje e Mira e Pasosur”.

“Populli i krishterë ka nevojë të shohë dëshmitarë të besueshëm, ka nevojë që të udhëhiqet nga bari të shenjtë” përfundoi homelinë e tij Sekretari i Shtetit të Vatikanit Bertone duke cituar Shën Gjon Krizostomin, i cili pati thënë: “Mjafton një njeri plot zell për ta shndërruar një popull.” “Qoftë ky programi i secilit prej nesh” tha në mbyllje kardinal Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.