Kalendari Kishtar më 14 shtator, kremton festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë.
(14.9.2009 RV)Kisha kremtoi sot më 14 shtator solemnitetin e Ngadhënjimit të
Kryqit të Shenjtë, festë që e ka zanafillën në Jerusalem më 14 shtator të vitit 335.
Këtë ditë u shuguruan ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur
e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin
e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin
më të madh të fesë së krishterë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë reflektimin e Papës Benediktit
XVI në Këln të Gjermanisë drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Papës
Gjon Palit II. Pohon Benedikti XVI “Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format
tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin
e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit
të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur
të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila
pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”. E Papa Gjon Pali
II në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti
hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma
e jetës të të krishterit”. Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë
ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për
ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh
fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë
ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”. Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin
e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha
pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen. Kryqi bëhet kështu lavdi.
Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën
Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i
të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit
të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit. Kur të duket se gjithçka
ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës Ngadhënjimit
të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit
tonë Jezu Krishtit sepse në të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë
të tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej
çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar
nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”. I madh
është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister
i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e
tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në
Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë
Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen,
për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.