2009-09-12 12:19:28

Papa në meshën për shugurimin e pesë ipeshkvijve: mos punoni për veten, por për t'i udhëhequr njerëzit drejt Zotit me besnikëri, maturi e mirësi.


(12.09.2009 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvi duhet të ketë tri karakteristika kryesore: besnikërinë ndaj Krishtit, maturinë dhe mirësinë. Duke komentuar shembëlltyrën e Shërbëtorit të mirë, Papa Benedikti XVI përshkroi kështu sot portretin e ipeshkvit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku shuguroi pesë ipeshkvij të rinj. Janë imzot Gabriele Xhordano Kaça, nunc apostolik në Liban, imzot Franko Kopola, nunc apostolik në Burundi, imzot Pietro Parolin, nunc apostolik në Venezuela, imzot Rafaelo Martineli, ipeshkëv i Fraskatit, imzot Xhorxho Korbelini, president i Zyrës së Punës së Selisë së Shenjtë. Me fjalë shumë të forta, Papa denoncoi se dobësimi i së parës nga të tria virtytet, i besnikërisë ndaj Krishtit, sjell shumë shqetësime:
“E dimë – tha Ati i Shenjtë në homelinë e meshës – se si gjërat në shoqërinë civile e, jo rrallë, edhe në Kishë vuajnë për faktin se shumë prej atyre, të cilëve u është dhënë përgjegjësi, punojnë për veten e jo për bashkësinë… Të mos i lidhim njerëzit pas vetes; të mos kërkojmë pushtet, prestigj, vlerësim për veten tonë. T’i udhëheqim njerëzit drejt Jezu Krishtit, e kështu, drejt Zotit të gjallë”.
Sipas Papës, “besnikëria e shërbëtorit të Jezu Krishtit qëndron edhe në faktin se ai nuk përpiqet t’ia përshtasë fenë modës së kohës. Besnikëria – theksoi Benedikti XVI – nuk është frikë, por frymëzohet nga dashuria e dinamika e saj”. Në Ungjill, kujtoi më pas Papa Racinger, i zoti e lavdëron shërbëtorin, që është kujdesur për pronat e tij. Feja duhet transmetuar, nuk na është dhënë vetëm për vete, vetëm për shëlbimin e shpirtit tonë, por edhe për të tjerët, për botën e për bashkëkohësit. Duhet t’ia japim botës, që ajo të bëhet në të një forcë e gjallë.
“Karakteristika e dytë që Jezu Krishti i kërkon shërbëtorit të vet – vazhdoi Papa teolog – është maturia. Këtu duhet të shmangim menjëherë një keqkuptim. Maturia është diçka e ndryshme nga dinakëria. Maturia, sipas traditës filozofike greke, është e para ndër virtytet kryesore; tregon primatin e së vërtetës, që përmes “maturisë” bëhet kriter i veprimit tonë. Maturia kërkon arësyetimin e përvuajtur, të disiplinuar e vigjilent, që nuk verbohet nga paragjykimet; nuk gjykon sipas dëshirave e pasioneve, por kërkon të vërtetën – edhe kur ajo është e hidhur”.
Vetëm në këtë mënyrë, ipeshkvijtë shtyhen të gjykojnë jo në bazë të detajeve të rastësishme, por të marrin parasysh të gjitha anët e mundshme të një çështjeje, duke e parë atë nga dritarja e madhe, që na ka hapur Jezu Krishti mbi të vërtetën. Pastaj Benedikti XVI u ndal mbi karakteristikën e tretë, që vihet re në shembëlltyrën e Shërbëtorit të mirë, mbi mirësinë. Mirësi e vërtetë dhe e plotë është vetëm Zoti, theksoi Ati i Shenjtë, prandaj këshilloi ai:
“Mirësia rritet me bashkimin e brendshëm me Zotin e gjallë… E në fakt: nga kush tjetër mund ta mësojmë mirësinë e vërtetë, nëse jo nga Ai, që na ka dashur deri në fund, deri në ekstrem. Bëhemi shërbëtorë të mirë përmes marrëdhënieve tona të gjalla me Jezu Krishtin. Vetëm nëse jeta jonë është në dialog me Të, vetëm nëse qenia e tij, karakteristikat e tij na përshkojnë e na brumosin, mund të bëhemi shërbëtorë vërtet të mirë”.
Në fund, Papa kujtoi se Kisha kremton sot “Emrin e Marisë”, e cila në traditën perëndimore është përkthyer si “Ylli i Detit”. Kur nata duket shumë e errët, tha Ati i Shenjtë, e shohim të afërt dritën që u ndez kur Maria tha: “Ja, jam shërbëtorja e Zotit”. Në mirësinë e saj vërejmë mirësinë e Zotit vetë. Papa Racinger e përfundoi homelinë me një lutje për ipeshkvijtë e rinj:
“Të lutemi që të bëheni shërbëtorë besnikë, të matur e të mirë, që një ditë, të dëgjoni nga Zoti i historisë fjalën: Shërbëtor i mirë e besnik, merr pjesë në gëzimin e padronit tënd”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.