2009-09-12 15:19:02

Editorial i atë Federiko Lombardit: Në qendër të Evropës


(12.09.2009 RV)RealAudioMP3 Vlojnë përgatitjet në Republikën Çeke për udhëtimin e ardhshëm apostolik të Benediktit XVI. Praga, Brno dhe Stara Boleslav janë tri etapat e vizitës së Papës. Të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Pas pak kohe, Papa do të jetë sërish në udhëtim për një vizitë të shkurtër, por intensive, në Republikën Çeke, nga 26 deri më 28 shtator. Do të shkojë në zemër të Evropës, në një vend me traditë të lashtë e të madhe kulturore, për të cilën krishterimi ka dhënë një kontribut thelbësor, një vend që përkujton këto ditë 20-vjetorin e rënies së regjimit komunist e të rilindjes paqësore të demokracisë, një vend ku shekullarizimi është aq i përhapur, saqë fenë e praktikojnë vetëm një pakicë.
Janë të shumta e të forta, mesazhet që Ati i Shenjtë mund t’u drejtojë besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë të atij vendi. Sigurisht, një inkurajim për Kishën e gjallë e të guximshme në dëshminë e saj të fesë, që të dijë të ngjallë shpresë e solidaritet shoqëror rreth vetes, në veçanti, në brezat e rinj. Një ftesë për ekumenizëm të ndjerë, që ta bëjë të besueshëm e të thellë kontributin e besimtarëve për ndërtimin e së ardhmes në shoqërinë e shekullarizuar. Një perspektivë me vlerë të madhe kulturore e morale, që procesi i bashkimit evropian të mos reduktohet vetëm në aspektet materiale dhe ekonomike, por të bartë pasurinë e vlerave të përbashkëta, të nevojshme për të garantuar dinjitetin e njeriut.
Festa kombëtare, arësyeja e zgjedhjes së datës për udhëtimin e Papës, i kushtohet martirit Shën Vençeslao. Si të kujtohet më mirë se kështu, se krishterimi ka dhënë e dëshiron të japë me gjithë shpirt një shërbim të çmuar, që prek thellë ekzistencën dhe shpresat e një populli, të çdo populli?
 







All the contents on this site are copyrighted ©.