2009-09-11 17:38:46

Përkujtimi i atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001, që ia ndryshuan faqen botës


(11.09.2009 RV)Është dita e dhimbjes për SHBA-të. Dita e kujtimit të atij 11 shtatori të tmerrshëm të 8 vjetëve më parë, që ndryshoi historinë e botës. Gati 3 mijë, viktimat vetëm në Nju Jork, ku dy avionë civilë u përplasën kundër Kullave Binjake, të cilat ranë pak orë më vonë para syve të shtangur të botës mbarë. Një avion tjetër goditi Pentagonin, ndërsa i katërti ra në Pensilvani.
Është hera e parë, që përkujtimi i kësaj dite bëhet nën presidencën e Barak Obamës. Duke shkaktuar debatet e konservatorëve në Kongres, sipas një propozimi të senatorit të ndjerë, Ted Kenedi, Obama e ka kthyer këtë ditë në Ditën Kombëtare të Kujtimit e të Vullnetariatit. Vetë presidenti amerikan dhe stafi i tij mbajtën një minut heshtje në Shtëpinë e Bardhë e morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Pentagon, ndërsa zëvendësi i tij, Xho Bajden ishte protagonisti i ceremonisë në Ground Zero dhe ish-sekretari i shtetit, Kolin Pauell në Pensilvani. Por vërtet, protagonistët kryesorë të kësaj dite janë 250 mijë amerikanët, që në të 50-të shtetet e vendit, janë impenjuar në programe solidariteti, që nga asistenca shëndetësore e deri në pastrimin e parqeve. Si e përjetojnë sot amerikanët kujtimin e atyre ditëve? A ka mbetuar akoma i gjallë emocioni për ato sulme? Të dëgjojmë atë Alfonso Aguilar, ish-kapelan i Kryqit të Kuq në Nju Jork, i cili i ka jetuar si dëshmitar ato ditë tragjike:
Mendoj se kujtimi është akoma i gjallë, pasi jo vetëm që qe një shok historik, por edhe sepse imazhet kanë mbetur të stampuara në zemrën e në mendjen tonë. Mendoj se nuk do të harrohen kurrë. Njerëzit reaguan me shumë fe, përveçse me shumë solidaritet. Shumë persona erdhën për të ofruar dreka e darka, ushqim, para për të afërmit, spontanisht, e shumë janë lutur sëbashku në publik. Njerëzit kanë vuajtur me shumë durim, me qetësi. Prisja blasfemi kundër Zotit e kundër myslimanëve, por jo: njerëzit heshtën, qetësisht, por me shumë dhimbje. Mendoj se ekziston gjithnjë një hir i veçantë, që Zoti u jep këtyre njerëzve, për të duruar dhimbjen e tmerrshme.
Atentatet e 11 shtatorit bënë që të ndryshonte krejtësisht politika e jashtme ndërkombëtare. Filloi lufta globale kundër terrorizmit, sulmet në Afganistan e në Irak. Por ç’ka mbetur sot nga 11 shtatori 2001? Përgjigjet në mikrofonin tonë Xhuzepe Mamarela, pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Stanford të Bolonjës:
Ka mbetur një trashëgimi e rëndë që administrata e re, ajo e Obamës, do të përpiqet ta absorbojë e të bëjë që njerëzit ta harrojnë. S’ka dyshim se gjatë këtyre viteve kanë ndryshuar shumë gjëra, si për shembull, marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe aleatëve evropianë. Të mos harrojmë se në prag të sulmit amerikan mbi Irak, Evropa u përça. Gjithashtu, është dobësuar imazhi i Amerikës në botë, edhe para episodeve si ai i Abu Graibit e i Guantanamos. Çështja izraelito-palestineze nuk ka bërë asnjë hap përpara. Janë keqësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet Amerikës e Rusisë, të cilat në vitet ’90 po merrnin rrugën e një farë bashkëpunimi. Është përkeqësuar në përgjithësi politika e jashtme amerikane. Mendoj se shkaku për këtë është reagimi më i madh sa duhej, pas sulmeve në Kullat Binjake.







All the contents on this site are copyrighted ©.