2009-09-10 15:57:35

Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi i krishterë i fjalës “moral”.


(10.09.2009 RV)RealAudioMP3 Reflektimet që qëndrojnë pas kësaj fjale janë aq të shumta, saqë nuk mund të ndalemi në një emision si ky i joni, pasi do të duheshin libra, e në të vërtetë, janë dashur libra për t’i shpjeguar. Pra, vetëm sa do të përvijojmë si përdoret kjo fjalë në Bibël.
Po të kemi parasysh si paraqitet Zoti në Besëlidhjen e Vjetër, kuptojmë se ai nuk është një Hyj kapriçoz e i pakuptueshëm, siç ndodhte për shembull me hyjnitë greke. Karakteristika e tij themelore është ajo e të qenit një Zot moral, që dënon e fal, që nuk qëndron indiferent para padrejtësive dhe u mëson njerëzve një sërë sjelljesh e impenjimesh etike, duke i bërë ato pjesë të natyrës njerëzore.
Të mendojmë për shembull 10 Urdhërimet e Tënzot, që bazohen në një sërë normash me karakter universal, të cilat nuk i përkasin vetëm Izraelit, ose vetëm besimtarëve. Gjithsesi, për këta të fundit, urdhërimet vendosen në kuadrin e aleancës me Zotin, prandaj nëse thyhen e nuk respektohen, njeriu nuk është thjesht fajtor, por mëkatar para Hyjit. Ato janë përgjigjia e fesë kundrejt Zotit, i cili lidhet me njerëzimin me një aleancë dashurie. Ja sepse profetët ngulnin këmbë në lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet fesë dhe moralit, ndërmjet kultit e ligjit, ndërmjet përshpirtërisë e jetës morale.
Edhe njeriu, që në fillim të Shkrimeve të Shenjta, paraqitet si person i shënuar nga një dhuratë e veçantë, liria. Ai vendoset nën pemën simbolike “të njohjes së të mirës e të së keqes”, pra të moralit, por është i lirë të pranojë frytet që i dhuron Zoti, pra vlerat etike, ose t’i këpusë nga pema e të vendosë vetë se ç’është mirë e ç’është keq, duke shkaktuar një zinxhir të këqiash, që prangos historinë.
Siç e kemi shpjeguar edhe herë të tjera, gjuha e Biblës është e lidhur me historinë e kohës dhe me kulturën e autorit njerëzor të tekstit, prandaj është i nevojshëm një interpretim i drejtë i normave morale, që përmbahen në Shkrimin e Shenjtë, për të mos rënë në fondamentalizëm. Duhet dalluar cilat janë normat që mbeten si vlera etike të përhershme e cilat janë ato, që i nënshtrohen historisë. Është domethënës për të kuptuar këtë, Predikimi i Krishtit mbi mal, që përshkruhet në Ungjillin sipas Mateut (5-7). Jezusi i kthehet thelbit të normave, duke shpjeguar se ato plotësohen e bëhen të vërteta përmes udhërimit të dashurisë, që nuk është vetëm “i pari”, por edhe shpirti i krejt ligjit moral. Çdo urdhër – thotë Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Romakëve (13,9) – “është i përfshirë në këto fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”.
E apostulli na kujton më pas se plotësimi i urdhërimeve të Tënzot dhe shëlbimi nuk është vetëm vepër e njeriut dhe e vullnetit të tij, por është sidomos një dhuratë e Zotit. Është hiri hyjnor, pranuar me fe, që e pushton shpirtin e zemrën tonë, duke na bërë të prodhojmë fryte moraliteti të pastër.







All the contents on this site are copyrighted ©.