2009-09-10 16:10:49

Të respektohet ekologjia: kështu u tha Papa organizatorëve të Pavionit të Vatikanit në Expo-në e Saragozës.


(10.09.2009 RV)“Kur Zoti, përmes Krijimit, i dha njeriut çelësat e Tokës, shpresonte se ai do të dinte ta përdorte këtë dhuratë të madhe, duke e shfrytëzuar me përgjegjësi dhe respekt”. Me këto fjalë kritike për shfrytëzimin e botës nga njeriu, Papa Benedikti XVI iu drejtua sot një grupi nga organizatorët e Pavionit të Selisë së Shenjtë në Expozitën Ndërkombëtare të vitit 2008 në Saragoza të Spanjës, të cilët i priti në audiencë në Kastelgandolfo. Kujtojmë se ekspozita pati si temë atë të ujit.
“Sot, më tepër se kurrë, nënvizoi Papa, duhet t’i ndihmojmë personat ta konsiderojnë Krijimin shumë më tepër se një burim të thjeshtë pasurish për t’u shfrytëzuar nga duart e njeriut”.
Në fjalimin e shkurtër që u mbajti, Benedikti XVI i falenderoi organizatorët për ngritjen e pavionit, i cili ka qenë njëri nga më të vizituarit e më të vlerësuarit. Shpresojmë, tha Ati i Shenjtë, që ai të ketë ngjallur reflektimin e duhur mbi vlerën e ujit për jetën e njerëzimit. Duke cituar enciklikën e tij të fundit, “Caritas in Veritate”, Papa Racinger u ndal në marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë ndërmjet kujdesit për natyrën dhe respektit për kërkesat etike të natyrës njerëzore. Kur respektohet ekologjia e njeriut, edhe ajo ambientale përfiton, theksoi Ati i Shenjtë. Njeriu zbulon vlerën e brendshme të natyrës, nëse mësohet ta shohë atë ashtu siç është në të vërtetë, shprehje e një plani dashurie, që na flet për Krijuesin e për dashurinë e tij për njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.