2009-09-10 12:24:36

Mesazhet e Benediktit XVI dhe të Patrikëve Bartolomeu I e Kirill për Kuvendin ekumenik të organizuar në Boze


(10.09.2009 RV)Filloi dje në Boze të Italisë edicioni XVII i Kuvendit ekumenik ndërkombëtar i përshpirtërisë ortodokse organizuar nga Manastiri i Bozes mbi temën e luftës shpirtërore në traditën ortodokse. Marrin pjesë përfaqësues të Kishës Katolike, të Patriarkatit të Moskës, të Kishave të tjera ortodokse e lindore dhe delegatë të Bashkimit anglikan e të Këshillit ekumenik të Kishave. Në një telegram me firmën e kardinalit-sekretar të Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone, Papa uron që ky takim të rigjallërojë vetëdijen mbi vlerën e luftës shpirtërore si pasojë e dashurisë së Krishtit dhe të zgjojë dëshirën për jetën oshënare në brezat e rinj.
Kuvendit i kanë dërguar mesazhe edhe Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I dhe Patriku i Moskës e i të gjitha Rusive, Kirill. Për Bartolomeun I këto takime janë dëshmi e qartë e kontributit unik të monakizmit në marrëdhëniet ekumenike ndërmjet konfesioneve të ndryshme të krishtera. Për Kirillin, tema e luftës shpirtërore është themelore, pasi prek thelbin e jetës së kujtdo që dëshiron ta ndjekë Krishtin deri në fund. Por të dëgjojmë se ç’do të thotë luftë shpirtërore, në fjalët e priorit të Bozes, Enco Bianki:
Kemi të bëjmë me atë luftë, që duhet të bëjmë në gjymtyrët e në trupin tonë për të kundërshtuar prirjen drejt së keqes, e cila ekziston te çdo njeri. Është e ashtuquajtura “luftë kundër tundimeve”. Ne njerëzit kemi gjithnjë brenda vetes mendime e sugjestione të mira e të këqia. Duhet t’i dallojmë nga njëra-tjetra, të realizojmë mendimet e mira që na vijnë nga Shpirti i Shenjtë. Nga ana tjetër, duhet të luftojmë ato që vijnë nga Djalli e sidomos, nga të qenit mëkatarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.