2009-09-08 16:21:04

U publikuan datat e Lumnimeve të ardhshme, miratuar nga Papa Benedikti XVI


(08.09.2009 RV)Zyra e Kremtimeve liturgjike të Atit të Shenjtë komunikoi datat e riteve të ardhshme të Lumnimit, miratuar nga Benedikti XVI. Janë pesë të Lumë të rinj: rregulltari gjerman Eustakio Kugler i Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit (Fatebenefratelli), i cili do të lumnohet më 4 tetor në Regensburg të Gjermanisë; kardinali spanjoll Qiriako Maria Sança i Hervàs, që do të shpallet i Lumë në Toledo më 18 tetor; don Karlo Njoki, “apotulli i të gjymtuarve të vegjël”, themelues i Veprës “Pro Iuventute”, që do të ngrihet në nderimet e elterit më 25 tetor në Milano; ipeshkvi martir hungarez Zoltan Lajosh Mesléni, që do të shpallet i Lumë në Estergom më 31 tetor dhe rregulltarja bashkëthemeluese e Kongregatës së Motrave Domenikane të Rruzares së Shenjtë të Jeruzalemit, Maria Alfonsina Danil Gatas, që do të lumnohet në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës në Nazaret, më 22 nëntor. Ja një përshkrim i shkurtër i jetës së tyre:
“Apostulli i mikpritjes”: ky është përkufizimi që përcakton më mirë jetën dhe veprën e Eustakio Kugler, i cili në gjirin e Urdhërit të Shën Gjonit të Zotit, i njohur si Fatebenefratelli, u shërbeu të sëmurëve e të gjymtuarve deri në vdekjen në Regensburg, në vitin 1946.

Një impenjim ky, që e bën të ngjashëm me figurën e don Karlo Njokit, i cili përmes Fondacionit “Pro Iuventute”, themeluar prej tij, mblodhi jetimët dhe fëmijët e gjymtuar të Luftës II Botërore, duke u bërë shpejt një nga figurat më të dashura të Italisë. Qendrat e rehabilitimit që mbajnë emrin e tij shumëfishohen, ndërsa don Karlo vdes nga kanceri në vitin 1956. Gjatë funeralit në Katedralen e Milanos, një nga vogëlushët e tij mori në dorë mikrofonin dhe tha: “Më parë të thosha: ciao don Karlo. Tani të them: ciao, shën Karlo”.

Së shpejti do të ngrihet në nderimet e elterit edhe ipeshkvi e martiri hungarez, Zoltan Lajosh Mesléni. Ishte betuar të mos e braktiste kurrë Krishtin e Kishën, premtim që e mbajti derisa derdhi gjakun. Në vitin 1950 u arrestua nga policia komuniste dhe u çua në një kamp përqëndrimi, ku vdiq pas torturave të tmerrshme.

I Lumi tjetër, kardinali Qiriako Maria Sança i Hervàs ka qenë ipeshkëv i Toledos, ku edhe vdiq në vitin 1909, pas impenjimit të jashtëzakonshëm në shërbim të më të varfërve e pas themelimit të Kongregatës së Motrave të Bamirësisë, që mbajnë emrin e tij. Së fundi, motër Maria Alfonsina Danil Gatas, rregulltare e Jeruzalemit, bashkëthemeluese e Motrave të Rruzares, edhe sot shumë aktive, në veçanti, për të krishterët e Palestinës. Vdiq në vitin 1927, pasi ngriti jetimoren e Ain Karemit dhe pasi filloi një sërë nismash për nevojtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.