Në Dibër vijon puna për dhënien e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti. Nidhmon
edhe Karitasi Shqiptar
(08.09.2009 RV)Në qarkun e Dibrës vazhdon puna për dhënien e ndihmës të dëmtuarve
të tërmetit të fortë që ra të dielën. Sot zëvendësministri i brendshëm Ferdinand Poni
tha se Shtabi i Emergjencës Civile i prefekturës së Dibrës po vijon pandërprerje punën
për sistemimin e banorëve të zonës së dëmtuar. Të gjithëve po iu shpërndahen ushqime
por edhe veshmbathje. Gjithashtu zëvendësministri tha se grupet e punës po merren
edhe me vlerësimin e dëmit material që shkaktoi tërmeti. Gjithnjë sipas të dhënave
të Ministrisë së Brendshme të qeverisë shqiptare, nga tërmeti 5.2 ballësh i shkallës
Rihter, nuk ka patur viktima vetëm shtëpi të dëmtuara rëndë në fshatin Gjoricë, ku
ishte epiqendra dhe në fshatrat Ostren, Shupenzë dhe Trebisht. Sidoqoftë, Karitasi
Shqiptar lajmëron se ndihmat janë shpërndarë deri tani vetëm në Gjoricë, ndërsa në
fshatrat e tjera puna po ecën shumë ngadalë dhe situata është e rëndë. Natën që shkoi
banorët e kaluan jashtë nga frika e lëkundjeve të reja. E në fakt sizmiologët kanë
bërë të ditur se do të ketë përsëri lëkundje të tjera, ndonëse do të jenë më të lehta.
Dje në zonat e goditura nga tërmeti shkoi edhe ipeshkvi katolik i Rrëshenit me
një grup pune nga Karitasi Shqiptar, i cili mori masat për të ndihmuar banorët e komunës
Shupenzë. Më hollësisht mbi gjendjen, të dëgjojmë Violeta Prengën nga Karitasi
Shqiptar…..