2009-09-08 16:21:41

Karitasi Ndërkombëtar: ndalimi i korrupsionit është detyrë morale


(08.09.2009 RV)Si vendet e pasura, ashtu edhe vendet e varfëra, e kanë për detyrë luftën kundër korrupsionit. Kjo është thirrja e Karitasit Ndërkombëtar dhe e mbi 50 krerëve fetarë e drejtuesve të agjensive të ndryshme humanitare, të cilët në një letër për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, kërkojnë shumëfishimin e përpjekjeve kundër kësaj plage.
Korrupsioni shkatërron mundësi e shpresa dhe është shkaku i parë i varfërisë së vendeve në zhvillim. Ndalimi i tij është detyrë morale, nënvizohet në letër. Më pas rreshtohen të gjitha të këqiat që ky ves i administratës publike ka sjellë për shoqërinë: pamundësia për të pasur formimin cilësor dhe asistencën e duhur shëndetësore, padrejtësitë e pazgjidhura për shkak të rryshfeteve, shpërdorimi i fondeve publike, humbja e investimeve dhe reduktimi i të ardhurave që vijnë nga taksat.
Të gjitha këto godasin në radhë të parë më të varfërit. Prandaj, theksojnë nënshkruesit e letrës, lufta kundër korrupsionit është detyrë morale e shoqërisë civile dhe e politikanëve, në të cilën mund të japë kontributin e saj edhe Kisha. Në letër përmendet Konventa e OKB-së kundër korrupsionit, traktati i parë botëror, që ka për qëllim të harmonizojë përpjekjet kundër këtij fenomeni. Kujtojmë se kjo Konventë ka hyrë në fuqi në vitin 2003 dhe është nënshkruar e ratifikuar edhe nga Shqipëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.