2009-09-07 13:38:55

Shqipëri/tërmeti:në epiqendrën në Gjoricë banorët kanë filluar të qetësohen


(07.9.2009 RV)Të paktën 8 grupe verifikimi për përcaktimin e dëmeve vazhdojnë punën në komunën Gjoricë, rreth 140 kilometra larg Tiranës, komuna e cila u prek më shumë nga tërmeti me magnitud 5.4 Rihter që goditi pak para mesnatës së kaluar pjesën verilindore të Shqipërisë.
Gjatë ditës së sotme, fshati Gjoricë është vizituar dhe nga përfaqësues të lartë të shtetit, ndër të cilët dhe Kryeministri Sali Berisha, i cili është takuar me banorë të dëmtuar si dhe i ka siguruar ata për mbështetjen maksimale të qeverisë në kapërcimin e situatës.
Ndërkohë në krye të grupit të verifikimit të dëmeve në komunën Gjoricë qëndrojnë kryetarët e fshatrave dhe punonjës të administratës, të cilët sipas kreut të kësaj komune, Xhelal Mera, "edhe gjatë pasdites së sotme kanë vazhduar verifikimin e situatës në terren".
Tërmeti me magnitud 5.4 Rihter, epiqendra e të cilit u lokalizua në fshatin Gjoricë, 19 kilometra në Jug-Lindje të qytetit të Peshkopisë, për fat nuk shkaktoi të lënduar në njerëz, sikurse dhe në bagëtitë e banorëve, një fakt që këta të fundit e evidentojnë me kënaqësi.
Sipas kryekomunarit Mera, gati në të gjitha shtëpitë e komunës, që numëron 5800 banorë, ka pasur plasaritje të mureve, por rreth 160 prej tyre paraqiten më të dëmtuara. Shumica e shtëpive të dëmtuara kanë qenë me konstruksion të dobët, kryesisht me qerpiç dhe të ndërtuara para viteve '90.
"Ka qenë një natë plot me panik, por që tashmë duket sikur tek banorët ka nisur të zërë vend qetësia", i pohoi ATSH-së sot pasdite kryekomunari Mera.
Ai informoi se 64 familje kanë kërkuar çadra, ndërsa banesat e 35 familjeve kanë nevojë për riparime të konsiderueshme. Pas verifikimit të plotë të dëmeve në terren, vijoi Mera, do të bëhet vlerësimi i tyre nga ekspertë të qarkut.
Kryetari i komunës konfirmoi për ATSH-në se ka nisur edhe shpërndarja e ndihmave materiale dhe ushqimore për banorët e dëmtuar. Siç informon ai, gjatë ditës së sotme dy helikopterë kanë sjellë ndihma në çadra dhe ushqime dhe aktualisht ka nisur shpërndarja e tyre për familjet më të dëmtuara dhe me më vështirësi ekonomike.
Tërmeti me magnitud 5.4 Rihter u regjistrua në orën lokale 23:49 të ditës së djeshme. Epiqendra e tërmetit u lokalizua në fshatin Gjoricë, ku sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sizmiologjisë, u ndie mbi 7 ballë, në qytetet Peshkopi dhe Bulqizë 6-7 ballë, në qytetet e Burrelit dhe Librazhdit 5-6 ballë dhe 4-5 ballë në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Rrëshenit. Tërmeti është shoqëruar nga mbi 130 pasgoditje të tjera deri pas mesditës së sotme, ndërkohë që lëkundja e fundit është regjistruar në orën 16:45.
Fshati Gjoricë me rreth 3500 banorë konsiderohet si fshati më i madh i komunës me të njëjtin emër dhe më i madhi i qarkut të Dibrës. Kjo zonë konsiderohet me kushte optimale për zhvillimin e bujqësisë, por edhe blegtorisë dhe banorët e zonës, me krenari e quajnë atë, 'hambari i Dibrës". Të paktën 700 ha tokë ndodhen në ujë në fshatin Gjoricë, i cili dallohet për prodhimin e drithërave të bukës dhe foragjereve.

**********
Grupet e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës Civile kanë nisur tashmë shpërndarjen e ndihmave materiale, veshje e çadra, por edhe ushqime për banorët e dëmtuar nga tërmeti i fortë që ra natën e kaluar në qarkun e Dibrës. Epiqendra e tërmetit me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter ishte në fshatin Gjoricë, 19 kilometra larg qytetit të Peshkopisë dhe si pasojë e lëkundjeve të fuqishme rezulton të jenë dëmtuar shumë shtëpi në këtë zonë. Si pasojë disa dhjetëra banorë e kanë kaluar natën jashtë.
Situata e krijuar në këtë zonë në verilindje të vendit po ndiqet nga afër nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, së bashku me drejtues të lartë të këtij dikasteri.
Poni ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile në Dibër, ku mësohet se u vendos mbi planin e punës për vlerësimin e dëmeve të shkatuara nga tërmeti, dhënien e ndihmës për banorët e dëmtuar, mirëfunksionimin e strukturave shtetërore si spitalet, policia, ndërmarjen e rrugëve, entin e elektrikut etj. Ndërsa janë lënë porosi për kryetarët e komunave për të raportuar mbi situatën e verifikuar në terren.
Poni bëri të ditur se grupet e punës po punojnë në komunat e Gjoricës dhe Shupenzës, duke shpërndarë ndihma me helikopter për banorët e dëmtuar.
Ai rikonfirmoi dhe një herë se nga tërmeti nuk ka patur të lënduar në njerëz, përjashto tre raste të lehta, kur tre personave iu është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Dibrës, dhe më pas janë larguar në shtëpitë e tyre. Z. Poni theksoi dhe angazhimin e madh të të gjithë institucioneve në përballimin e situatës pas tërmetit të fortë me epiqendër në Gjoricë të rrethit të Dibrës, por që u ndje edhe në disa zona të Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake të ministrisë së Brendshme janë konstatuar disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në komunën e Gjoricës dhe Ostrenit si dhe dëmtime të rënda e të lehta në disa banesa në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht, në qarkun e Dibrës.
Zyrtarisht konfirmohet se dje në orën 23: 49 u regjistrua një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në koordinatat 41.51 veri dhe 20.50 lindje, koordinata këto që i përkasin zonës midis fshatrave Shupenzë dhe Gjoricë e Sipërm, të Qarkut të Dibrës. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë në zonën veriore si dhe atë të qendrore të vendit, përfshirë dhe Tiranën.
*************
Një tërmet i fuqishëm është regjistruar pak minuta para mesnatës së të dielës në juglindje të Peshkopisë.
Instituti Sizmiologjik i Shqipërisë thotë se lëkundja e parë, është regjistruar në oren 23.49 te mbrëmjes së të dielës dhe ka zgjatur 15 sekonda, dhe më pas kanë vazhduar 59 lëkundje të tjera me intensitet më të vogël.
Tërmeti ka pasur epiqendër komunën Gjoricë, 19 km larg Peshkopisë ndërsa lëkundjet me fuqi 5.4 ballë janë ndjerë edhe në Tiranë dhe Durrës.
Një gazetar i tv NEWS24 i cili ndodhet në vendngjarje thotë se Komuna Shupenzë është më dëmtuara nga tërmeti.
Banorët kanë kaluar natën jashtë pasi vazhdimisht janë ndjerë lëkundjet. Lëkundja e fundit është shënuar në orën 06.30 minuta të mëngjesit të sotëm.
Fatmirësisht nuk është shënuar ende asnjë viktimë ndërsa nga 1200 banesa që ka gjithsej kjo komunë 1000 prej tyre janë të plasaritura. 6 shtëpi janë të shembura plotësisht.
Dëmtime shtëpish jane regjistruar dhe në komunen Ostren,e Gjurice. Në disa fshatra te ketyre komunave është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Pra dëmtimet janë të mëdha, ndërsa s'ka viktima në njerëz.
Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës është raportuar për një fëmijë të plagosur nga tërmeti në fshatin Catush të Dibrës. Janë dëmtuar shkollat e Ostrenit dhe të Tominit si dhe shumë banesa. Tërmeti me epiqendër 19 km larg Peshkopisë është ndjerë në Tiranë, Durrës si dhe në Kosovë e Maqedoni. Berisha do inspektojë zonat e prekura nga tërmeti. Nga Balkanweb.







All the contents on this site are copyrighted ©.