Papa për Ditën Misionare Botërore: Kisha ekziston për të sjellë shëlbimin e Krishtit
për të gjithë popujt
(12.09.2009 RV)“Kombet do të ecin në dritën e Tij”: ky është titulli i Mesazhit
të Papës për Ditën Misionare Botërore, që Kisha do ta kremtojë të dielën, më 18 tetor.
Misioni thelbësor i Kishës, pohon Benedikti XVI në mesazh, është t’u çojë popujve
shëlbimin e Zotit përmes Birit të Tij të mishëruar. Kisha e misionit, vazhdon Ati
i Shenjtë, duhet të ndjejë ankthin dhe pasionin për të ndriçuar popujt me dritën e
Krishtit, për t’iu dhënë atyre shpresë. Misioni i Kishës në botë ka njohur fitore
të jashtëzakonshme, nënvizon Papa, por aktualisht duket sikur e ka humbur sensin e
qëllimit të tij përfundimtar. Shërbimi i Kishës nuk është të plotësojë ato nevoja
materiale e shpirtërore, që zgjasin sa zgjat jeta e njeriut mbi tokë, por të sjellë
shëlbimin hyjnor, karakteristik për Mbretërinë e Hyjit. Është e vërtetë që Mbretëria
e Hyjit nuk është e kësaj bote, shpjegon Papa, por ajo është e kësaj bote në formën
e drejtësisë, paqes, lirisë së vërtetë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu.
Kisha synon ta shndërrojë botën me shpalljen e Ungjillit të dashurisë, që largon retë
dhe errësirën e na jep guxim të jetojmë e veprojmë. Papa kujton sa e sa misionarë
e misionare, që e dëshmojnë dhe përpiqen ta ndërtojnë Mbretërinë e Zotit në gjendje
persekutimi apo shtypjeje, e cila shkon nga diskriminimi shoqëror e deri tek burgu,
torturat e vdekja. Kisha, shpjegon Benedikti XVI, nuk vepron sipas logjikës njerëzore
ose asaj të forcës, por ndjek rrugën e Kryqit të Krishtit. Papa i fton katolikët
të mbështesin misionarët, misionaret dhe bashkësitë e krishtera të impenjuara në linjën
e parë të frontit në këtë mision të vështirë dhe të japin një shenjë të besueshme
bashkimi ndërmjet Kishave, përmes ndihmës ekonomike për Kishat më të varfëra.