2009-09-07 17:06:26

Papa ipeshkvijve brazilianë: Njerëzimi ka nevojë të shohë tek të krishterët atë që nuk e sheh gjetiu, gëzimin dhe shpresën e Krishtit


(07.09.2009 RV)Të rinjtë e sotëm, që dëshirojnë të bëhen meshtarë, por janë rritur në një klimë shekullarizimi, e cila ka infektuar edhe ndonjë ambient kishtar, kanë nevojë të gjejnë edukatorë, që të jenë “vërtet njerëz të Zotit”. Kështu iu drejtua sot paradite Benedikti XVI ipeshkvijve të zonës perëndimore të Brazilit, në vizitë ad Limina, të cilët i priti në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos. Është i pari nga 13 grupet, që do të vijnë në Vatikan për t’u takuar me Atin e Shenjtë e Kurien Romake deri më 20 shtator 2010.
Në një shtet të madh sa krejt Evropa, me distanca të jashtëzakonshme, me një popullsi prej 200 milion banorësh, me etni të shumta e me problemet e bashkëjetesës, integrimit e zhvillimit, që lidhen me to, të shumta mund të jenë edhe argumentet për të bërë një analizë të realitetit brazilian. Benedikti XVI filloi nga të rinjtë, në veçanti nga ata që do të rinovojnë Kishën në të ardhmen. Papa reflektoi kështu për urgjencat e episkopatit të Brazilit, por edhe për disa probleme, që duke minuar strukturën etike të shoqërisë, kushtëzojnë dhe pështjellojnë të rinjtë. Papa pranoi se në Brazil, punëtorët e vreshtit të Zotit vazhdojnë të jenë pak, ndërsa të korrat janë të mëdha:
“Ka shumë që duket se e shkrijnë krejt jetën për një minut, të tjerë që enden në mërzi e përtaci, ose e lënë veten në dorë të çdo lloj dhune. Por në fund të fundit, ato nuk janë tjetër, veçse jetë të dëshpëruara në kërkim të shpresës, siç shihet nga nevoja e madhe, nganjëherë e ngatërruar me kërkesat shpirtërore, për pika të reja referimi në rrugën e jetës”.
Nga Brazili, që sot kremton ditën e pavarësisë nga Portugalia, Papa kujtoi pritjen e mrekullueshme që iu bë gjatë udhëtimit të tij apostolik në këtë vend, në maj 2007. Por kritikoi ashpër prirjen e disave, pas Koncilit II të Vatikanit, për ta interpretuar këtë koncil si kalim drejt shekullarizimit, duke bërë hapa mbrapa në disa vlera të krishtera të patjetërsueshme, si barazia, liria dhe solidariteti. Kisha e ka ndrequr shpesh veten më pas, por nuk është folur sa duhet për disa të vërteta themelore të fesë si mëkati, Hiri Hyjnor, jeta teologale, vdekja e gjykimi i mbramë, parrizi e ferri:
“Pa vetëdije, shumë bashkësi të krishtera ranë në auto-shekullarizim. Ato, duke shpresuar të kënaqnin edhe ata që nuk vinin në kishë, bënë të largoheshin, të zhgënjyer e të pakënaqur, shumë nga ata që vinin. Bashkëkohësit tanë, kur vijnë te ne, duan të shohin atë që s’shihet në asnjë vend tjetër, gëzimin e shpresën që lindin nga fakti se ne jemi me Zotin e Ringjallur”.
Aktualisht, vazhdoi Papa kritikën e tij, një brez i ri ka lindur tashmë në këtë klimë të shekullarizuar kishtare, e cila krijon jo pak kundërvënie në fushën etike. Për këtë arësye, rinia ndjen etje për trashendencë, e duhen gjetur ide të reja për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese. Ndër këta të rinj janë edhe ata që trokasin në dyert e seminareve e pikërisht ata, theksoi Papa në përfundim:
“Kanë nevojë të gjejnë edukatorë, vërtet njerëz të Zotit, meshtarë që i kushtohen krejtësisht formimit, që dëshmojnë dhurimin e vetvetes për Kishën përmes celibatit e jetës së rregullt, sipas modelit të Krishtit, Bariut të Mirë. Kështu, këta të rinj mësojnë të bëhen të ndjeshëm ndaj takimit me Hyjin në pjesëmarrjen e përditshme në Eukaristi, mësojnë të duan heshtjen e lutjen, duke kërkuar së pari, lavdinë e Zotit e shpëtimin e shpirtrave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.