Më 7 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Regjina e Alizesh, virgjër e martire.
(07.9.2009 RV)Për Shën Regjinën (emër që në gjuhën frënge Reine ka kuptimin
mbretëreshë) kemi pak lajme. I mësojmë nga një dëshmitar, i cili pohon se e ka parë
gjithçka me sytë e vet. Shenjtorja lindi e jetoi në Alize (Gali), pranë Otunit,
në shekullin III. E ëma i vdiq në sa po e lindte. Si u rrit, iu kushtua Krishtit dhe
jetoi sipas mësimeve të Tij. Dihet se i ati, Olibri, pagan, si u mundua më kot ta
bindte të hiqte dorë nga feja e krishterë, pa ia arritur qëllimit, e burgosi e pastaj
ia preu kokën. Prej këndej kuptojmë se ishte sundimtar i Galisë së shekullit III. Vajza
u martirizua në Alize, vend ku komandanti i galëve, Verçingjetorigje u burgos nga
komandanti romak, Jul Cesari. Regjina, ndonëse ende e njomë, pranoi tmerret e
martirizimit, e sigurtë për atë që e priste. Vajza zgjodhi këtë përfundim të jetës
së saj tokësore, duke e ditur se po i hapej përpara rruga që e çonte drejt një jete
më të mirë. Mbretëresha ishte e sigurtë se do t’i jepej një mbretëri shumë më e shkëlqyer,
një mbretëri e amshuar. Në kundërshtim me lajmet e pakta për jetën e saj, kulti
i Shën Regjinës pati një përhapje të jashtëzakonshme, sidomos në Francë, në Borgonjë,
në Alize, në Flavinji e në Osnabryk të Gjermanisë. Në shekullin XVII dy qytetet e
fundit nisen të grinden, sepse secili prej tyre pohonte se kishte reliket e martires.
Grindjes i dha fund ipeshkvi i Otynit, i cili më 1693 i autorizoi të dy qytetet t’i
ekspozonin reliket e Shenjtores. Është e qartë se Regjina nderohej në Alezia që
para vitit 628 e se në vitin 750 në këtë vend lartohej një bazilikë ku thuhej se ruheshin
reliket e saj. E pranë bazilikës ishte edhe një kuvend kushtuar Shenjtores. Në vitin
854 reliket u mbartën në Flavinji, ku ruhen ende edhe zinxhirët me të cilët qe lidhur
kur ishte e burgosur. Kisha kushtuar shenjtores u ngritën pak nga pak kudo. Në
shekullin XVII kulti i saj arriti edhe në Paris, ku më 1604, pranë Kishës së Shën
Eustakut, u themelua një bashkëvëllazëri me emrin e saj: ‘Saint Reine’. Në art
paraqitet me palmën tradicionale të martirizimit, me sëpatën që u përdor për t’i prerë
kokën dhe me zinxhirët e burgut. Festa e saj që në lashtësi kremtohet më 7 shtator,
datë që shënohet edhe sot e kësaj dite në të gjithë kalendarët.