2009-09-07 19:15:28

Kuvendi i Shqipërisë: seanca e parë e legjislaturës së XVIII-të u bojkotuan nga opozita


(07.9.2009 RV)Kuvendi i Shqipërisë mbylli punimet e seancës së parë të legjislaturës së XVIII-të me ngritjen e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve të deputetëve të rinj.
Punimet e seancës së sotme, që u bojkotuan nga opozita, u ndoqën nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe nga drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë.
Mbledhja e parë e parlamentit të ri u hap nga deputeti më i vjetër në sallë, Fatos Beja, i cili mbajti dhe një fjalë përshëndetëse drejtuar deputetëve të rinj.
Më pas seanca vendosi ngritjen e sekretarisë së përkohshme prej 3 anëtarësh deri në ngritjen e plotë të strukturave të Kuvendit, e cila u pasua nga miratimi i Komisionit të Verifikimit të Mandateve. Ky Komision do të verifikojë mandatet e 140 deputetëve, një procedurë që sipas rregullores parlamentare i hap rrugën zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit.
Drejtuesi Beja komunikoi vendimin për thirrjen nesër të parlmentit, ku pritet raporti i verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 28 qershorit, të cilët më pas do të bëjnë dhe ceremoninë e betimit.
Në legjislaturën e re, PD përfaqësohet nga 68 deputetë, PS nga 65 deputetë, LSI nga 4 deputetë, PR, PBDNJ dhe PDI me nga nje deputet. Nga ATSH-ja.







All the contents on this site are copyrighted ©.