2009-09-07 17:07:22

Kremtimet e Papës deri në nëntor:ndër to Sinodi për Afrikën, kanonizimi i 5 të Lumëve dhe udhëtimet apostolike në Republikën Ceke e në Bresha.


(07.06.2009 RV)Këto ditë u bë i njohur kalendari i kremtive të kryesuara nga Papa Benedikti XVI deri në muajin nëntor. Ndër ngjarjet më të rëndësishme: Meshët për hapjen e mbylljen e Sinodit për Afrikën, kanonizimi i 5 të Lumëve, udhëtimi apostolik në Republikën Çeke, vizita baritore në Bresha të Italisë dhe shugurimi i 5 ipeshkvijve të rinj.
Mesha për këta të fundit do të mbahet të shtunën e ardhshme në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa nga 26 deri më 28 shtator, Benedikti XVI do të shkojë në Republikën Çeke, në udhëtimin e tij të 13-të ndërkombëtar. Ndër ngjarjet më domethënëse të këtij udhëtimi është pa dyshim Mesha e së hënës, 28 shtator, në ditën e festës liturgjike të Shën Vençeslaut, pajtor i kombit.
Muaji i tetorit karakterizohet nga vëmendja ndaj Kishës në Afrikë. Të dielën, më 4 tetor, Papa do të kremtojë në Bazilikën e Vatikanit, Meshën për hapjen e Asamblesë II të veçantë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvijve. Sinod, që do të mbyllet gjithnjë me Meshën e kryesuar nga Ati i Shenjtë, të dielën më 25 tetor. Ja si e nënvizon vetë Papa rëndësinë e kësaj ngjarjeje, në audiencën e përgjithshme të 1 prillit të kaluar, pas kthimit nga udhëtimi në Kamerun e Angola:
“Asambleja sinodale do të zhvillohet në Romë, por në një farë kuptimi, ajo ka filluar në zemrën e kontinentit afrikan, në zemrën e familjes së krishterë që aty jeton, vuan e shpreson… Në mesin e konflikteve, fatkeqësisht të shumta e dramatike, që akoma ekzistojnë në rajone të ndryshme të kontinentit, Kisha e di se duhet të jetë shenjë dhe mjet i bashkimit dhe i pajtimit, që krejt Afrika të ndërtojë sëbashku të ardhmen në drejtësi, solidaritet e paqe, duke zbatuar mësimet e Ungjillit”.
Gjithnjë në muajin tetor, të shtunën, në datën 10, Papa do të thotë Rruzaren sëbashku me studentët e universiteteve të Romës, në Sallën Pali VI në Vatikan. Të dielën, në orën 10, do të shpallë shenjtorë 5 të Lumë të rinj, në kremtimin që do të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit. Në nëntor, pas meshës së të enjtes, me datë 5, për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, Benedikti XVI do të shkojë për vizitë baritore në Bresha të Italisë, të dielën, më 8 nëntor.







All the contents on this site are copyrighted ©.