(06.09.2009 RV)Shën Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e
Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhërit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq
më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj
të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij? Bonaventura është
teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit
të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën
më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes
ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht
përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që
e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet
vetëm në në Parriz. Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë,
s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është
dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit.
Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin
e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.