2009-09-06 15:06:31

Shenjtorët e Javës


(06.09.2009 RV)RealAudioMP3 Sot e diel me 6 shtator Kisha katolike kremtoi të Dielën XXIII të kohës gjatë vitit kishtar. E po sot kalendari kishtar përkujton edhe Shën Zakarinë profet e Shën Onesiforin, nxënës i Shën Palit apostull, të cilët na kujtojnë se Jezu Krishti nuk erdhi mbi tokë për të kërkuar suksesin personal të tij, as për t’i kënaqur dëshirat tona egoiste, por erdhi për të bërë vullnesën e Atit, që e ka dërguar në kërkim të deleve të humbura, kudo qofshin ato.


Nesër e hënë 7 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Regjinën, virgjër e martire e shën Guidon, ipeshkëv të Arecos. Psalmi 99 na grish t’i drejtohemi Hyjit duke thënë: Bekuar qoftë Zoti, lumturia e popullit të vet.


Të martën më 8 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Lindjes të Lumës së Mari Virgjër. Kjo festë te populli shqiptar njihet me emrin festa e Zojës së Vogël. Gjithnjë këtë ditë kalendari kujton edhe shën Sergjin I, papë. E kremtja e madhe e të Lindurit të Virgjërës Mari, Zojës së Papërlyer pohon se Zoti ka vënë në të burimet e jetës, Ajo është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; është lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar për çdo njeri e popull.


Të mërkurën me 9 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Pjetërin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar.
Të enjten e ardhshme me 10 shtator, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian. Në Hyjin është shpëtimi im e lavdimi im, pohon Psalmi i ditës. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjtë është ditë e shenjtë e nuk punohet fare, e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.


Të premten e ardhshme me 11 shtator , sipas kalendarit kishtar kremtohen Shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan. Festa e tyre na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.


Të shtunën me 12 shtator do të kremtohet festën e Emërit të Shenjtë të Vigjërës Mari, si dhe shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës. Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte netë të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.


Të dielën e ardhshme me 13 shtator, bie e diela 24-të gjatë vitit kishtar e po këtë ditë kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Gjon Gojartit, ipeshkëv e doktor. Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.