2009-09-06 19:03:31

Lutja e Papës Benedikti XVI Zojës së Lisit


Veçanërisht prekëse, vizita e Atit të Shenjtë në Shenjtëroren e Zojës së Lisit, ku u takua me motrat e klauzurës, të ardhura nga 11 kuvendet e tjera të dioqezës. Sëbashku, ju lutën Zojës për Pasardhësin e Shën Pjetrit e për Kishën, për Italinë, Evropën e kontinentet e tjera, për paqen, për familjet e krishtera, për dioqezën e të gjitha komponentet e saj, duke i kërkuar t’i ndihmojë njerëzit për të ndjekur planin e Hyjit për ta. Ja lutja:

Virgjër Shenjte, o Zojë e Lisit,
Pajtore e dioqezës së Viterbos,
të mbledhur në këtë shenjtërore që të kushtohet Ty,
po të drejtohemi me një lutje të përgjëruar e plot besim:
vigjëlo mbi Pasardhësin e Shën Pjetrit e mbi Kishën që i është besuar kujdesit të tij;
vigjëlo mbi këtë bashkësi dioqezane e mbi barinjtë e saj,
mbi Italinë, Evropën dhe kontinentet e tjera.
O Mbretëreshë e paqes, ndërhy për dhuratën e pajtimit e të paqes
Për popujt e për krejt njerëzimin.

 
Virgjër e bindur, o Nëna e Krishtit,
që, me “po”-në tënde të urtë para shpalljes së Engjëllit,
u bëre Nëna e të Gjithpushtetshmit,
ndihmoji të gjithë bijtë e tu të shkojnë
sipas planit që Ati Qiellor ka për secilin,
për të bashkëpunuar në planin universal të shëlbimit,
që Krishti plotësoi duke vdekur në kryq.

 
Virgjër e Nazaretit, Mbretëreshë e familjes,
bëji familjet tona të krishtera djepe të jetës ungjillore,
pasuroji me dhuratën e shumë thirrjeve
për meshtari e për jetën e shuguruar.
Mbaji të bashkuara familjet tona,
sot të kërcënuara nga të gjitha anët,
e bëji vatra të qetësisë e të harmonisë,
ku dialogu i durueshëm të zhdukë vështirësitë dhe kundërshtitë.
Vigjëlo sidomos mbi familjet e ndara e në krizë,
o Nënë e faljes dhe e pajtimit.

 
O Virgjër e Papërlyer, Nënë e Kishës,
ushqeje entuziazmin e të gjitha komponenteve
të dioqezës sonë: të famullive e të grupeve kishtare,
të shoqatave e të formave të reja të impenjimit apostolik
që Zoti frymëzon me anë të Shpirtit të Tij të Shenjtë;
bëje të fortë e të vendosur vullnetin e atyre
që Zoti i vreshtit vazhdon t’i thërrasë
si punëtorë në vreshtën e vet, që,
t’i rezistojnë çdo joshjeje e kurthi të kësaj bote,
të vazhdojnë me bujari rrugën e filluar,
e, me ndihmën tënde amnore, të bëhen dëshmitarë të Krishtit
të tërhiqen nga vezullimi i Dashurisë së tij, burim gëzimi.

 
O Zojë e Mëshirshme, Nëna e njerëzimit,
ktheji sytë nga burrat e gratë e kohës sonë,
nga popujt e qeveritarët e tyre, nga kombet e kontinentet;
ngushëlloji ata që derdhin lot, që vuajnë, që kërkojnë drejtësi,
mbështete atë që lëkundet nga pesha e lodhjes dhe e sheh të ardhmen pa shpresë;
jepi guxim atij që punon për ndërtimin e një bote më të mirë,
ku të ngadhnjejë drejtësia e të mbretërojë vëllazërimi,
ku të ndalet egoizmi e urrejtja e dhuna.
Çdo formë e shfaqje e dhunës
të mundet nga forca paqtuese e Krishtit!

 
O Virgjër e dëgjimit, Yll i shpresës,
Nënë e Mëshirës,
burim përmes të cilit erdhi në botë Jezusi,
jeta jonë e gëzimi ynë,
në Të falenderojmë e Të përtërijmë ofertën e jetës,
të sigurtë se nuk na braktis kurrë,
sidomos në çastet më të errta e më të vështira të ekzistencës.
Na shoqëro gjithmonë: tash e n’fill të mortes sonë.
Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.