2009-09-06 15:08:08

Luftë dhe pajtim: editorial i atë Lombardit në 70-vjetorin e Luftës II Botërore


(06.09.2009 RV)RealAudioMP3 Të martën e kaluar, për një ditë, bashkësia ndërkombëtare u ndal për të kujtuar e reflektuar mbi vuajtjet e shkaktuara nga Lufta II Botërore. Shumë politikanë e krerë shtetesh e qeverish u mblodhën në agimin e 1 shtatorit në gadishullin polak Vesterplate, afër Dancikës, i cili në të njëjtën orë e në të njëjtën datë të 70 vjetëve më parë u qëllua nga korracata gjermane Shlesvig-Holshtajn. Ishte akti i parë luftarak i Luftës II Botërore. Edhe Papa Benedikti XVI, ashtu si ipeshkvijtë e Gjermanisë dhe të Polonisë, i kushtoi disa reflektime kësaj ngjarjeje, siç kujton atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm, në editorialin e kësaj jave:
“Në kujtesën e popujve mbeten tragjeditë njerëzore dhe absurditeti i luftës. I kërkojmë Zotit që fryma e faljes, e paqes dhe e pajtimit të përshkojë zemrat e njerëzve” – kështu tha Papa në përkujtimin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës II Botërore. Tashmë brezi i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të tragjedisë së pashoqe zvogëlohet gjithnjë e më tepër në numër, e pakësohen edhe ata, që kanë pasur guximin të thonë fjalë pendese e faljeje e të ndërtojnë marrëdhënie të reja paqeje ndërmjet popujve. Është pra e drejtë, që edhe Kisha të japë kontributin e saj të veçantë për kujtesën historike.
Dy Papët e fundit kanë një autoritet personal të veçantë për ta bërë këtë. Siç thoshte Benedikti XVI më 19 maj 2005, “të dy këta Papë në rini – megjithëse në fronte të kundërta e në situata të ndryshme – janë detyruar të njohin barbaritë e Luftës II Botërore dhe të dhunës së pakuptimtë të njerëzve kundër njerëzve, të popujve kundër popujve”. Të dy këta Papë kanë shkuar në Aushvic duke pohuar: “Nuk mund të mos vija këtu”. E me të drejtë, ipeshkvijtë polakë dhe gjermanë pohuan sëbashku pak ditë më parë: “Pajtimi ndërmjet popujve tanë është një dhuratë që mund të sjellim në historinë e Evropës së bashkuar”.
Kur kujtojnë absurditetin e urrejtjes, besimtarët kujtojnë njëkohësisht e gjithnjë nevojën e impenjimit për faljen dhe pajtimin. Vetëm kështu mund të arrihet paqja e të thuhet me bindje: “Kurrë më luftë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.