Mesazh i eprores së Motrave të Bamirësisë, Meri Prema, në festën e Nënë Terezës
(05.09.2009 RV)Para një jave, filluam
përgatitjet për të kremtuar në vitin 2010 njëqindvjetorin e lindjes së Nënë Terezës.
Sot përkujtojmë 12 vjetorin e vdekjes së saj. Në Kishën Katolike kremtojmë sot edhe
kujtimin liturgjik të së Lumes Terezë të Kalkutës. Shenjtëria heroike e jetës së saj
na siguron se vdekja për këtë jetë ka qenë lindja e saj për qiell. Ndërsa ia ndjejmë
mungesën, me të njëjtin intensitet gëzohemi se kemi në qiell një mike dhe një ndërmjetësuese
si ajo. Nënë Tereza na ka treguar se nuk ka varfëri më të dhimbshme se sa kur njeriu
ndihet i pa dashur. Për ta shëruar këtë dhimbje, Zoti thërret secilin prej nesh të
bëhet dashuria e Tij, prania dhe mëshira e Tij ndër më të varfërit e të varfërve,
të varfër materialë e shpirtërorë. E kujtojmë Nënën për gëzimin e buzëqeshjes së
saj, për ngrohtësinë e prekjes së saj. Një ditë, një i moshuar pa strehë iu afrua
Nënës dhe i shtrëngoi dorën. E i tha: “Prej kohësh nuk kam ndjerë ngrohtësinë e një
dore njerëzore”. Por kujtimi i Nënës në ditën e festës së saj nuk mjafton. Edhe
ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre që
kemi përreth, që vuajnë për mungesë ushqimi, ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe
për mungesën e një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë, të pranisë së një miku. Të
përgatitemi që të jemi gati të dhurojmë vetveten, të duam derisa të na dhembë. Kur
një ditë do të shkojmë në shtëpinë e Zotit, Ai do të na quajë të lumë e do të na thotë:
“Atë që keni bërë për njërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë Mua”.