Kremtimi i festës liturgjike të së Lumes Nënë Terezë
(05.9.2009 RV)Sot, dëgjues të nderuar, përkujtojmë 12° vjetorin e kthimit në
shtëpinë e Atit Qiellor të së Lumes Nënë Terezë, e në Kishën katolike kremtojmë sot
edhe festën liturgjike të së Lumes Gonxhe Bojaxhiut. Shenjtërimi heroik i jetës së
saj na siguron se vdekja e saj në jetën tokësore ka qenë edhe lindja e saj përjetësisht
në qiell pranë Hyjit Atë. Pra, kanë kaluar dymbëdhjetë (12) vjet nga data
e 5 shtatorit të vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe Vëllezërve të Bamirësisë,
e Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor. Edhe salikimet e saj,
kremtuar në Kalkutë të Indisë, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve, personalitete
botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi
e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja shqiptare e bamirësisë, e cila u përcoll
për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti
mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur,
duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares
dhe me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre
të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të
shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin! Papa Gjon Pali II, që
e vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti të Lumen Nënë Terezë
"dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria
Ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin
që i bëhet më të përbuzurve e nëpërkëmburve ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Në
festën liturgjike që Kisha katolike kremton sot e që sivjet përkon me 100 vjetorin
e lindjes dhe 12 vjetorin e kthimit të Nënë Terezës në shtëpinë e Atit Qiellor, pa
u ndaluar tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që sot rikujtohet e kremtohet liturgjikisht
në mbarë botën, po e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë e të bamirësisë
me fjalët e Gjon Palit II: "Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtëzakonshëm
i misionit të heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit
në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë së Zotit, që gjeti shprehjen e vet
konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.
Në fytyrat e të mjerëve, Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia
e kryqit, vijon të klithë: "Kam etje!".E ajo iu përgjigj kësaj klithje hyjnore që
dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja e Krishtit mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten
pa kursim njerëzve të varfër, të braktisur, të vuajtur, të vetmuar, atyre që vdisnin
rrugësh. Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë
të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një
guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë
të padrejtësisë e të harresës nga bota. Të mënjanuarve e atyre që nuk kishin shpresë,
u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të refuzuar, por ishin të zgjedhurit e Zotit,
Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta, e
posaçërisht për ta, siç na mësojnë Lumnitë Ungjillore. E Lumja Nënë Terezë e dëshmoi
Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes, deri në
grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për
ne e nevojat tona pranë Atit qiellor. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj
bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj,
për Kishën e mbarë njerëzimin!”. Kështu pra është shprehur mes tjerash Papa Gjon
Pali II që e lartoi në nderimet e elterit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot
të Lumen Nënë Terezë e shikojmë me emocion të thellë e cila tanimë nga elteri nga
na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni…
lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë
të bashkuara e në harmoni. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin,
ashtu si Zoti e do secilin. ”Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”,
thoshte Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë
vetveten me Krishtin e për Krishtin. për të mirën e njerëzve, të të gjithë njerëzve.
Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja,
të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na
fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje. Nuk
na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua të afërmin tim”. Si mund ta duash
Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të? Përpiquni
ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj
se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose
ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në
shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”. Kundrim e
veprim, ungjillëzim e shërbim njerëzor: kjo është ikona e Nënë Terezës që e kumtoi
Ungjillin e dashurisë së Krishtit me jetën e saj, të cilën ua dhuroi plotësisht të
varfërve, e njëkohësisht ia kushtoi lutjes drejtuar Zotit. Kush takohet me Jezusin,
kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin
e jetës, siç bëri e Lumja Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë
edhe Krishti se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt”.
Rruga e Krishtit është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është
përvoja e jashtëzakonshme, e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë,
që e ndoqi Jezusin udhëve të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin
që në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë
na dëshmon jeta dhe vepra e së Lumes Nënë Terezë, të cilën Kisha përmes festë së saj
liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë
të përditshme. Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht
e Lumja Nënë Terezë, që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më
të varfërit dhe nevojtarët, tek të përbuzurit e të mënjanuarit fytyrën e atij Zoti,
të cilin aq gjatë e ka kundruar me dashuri në lutje. E Lumja Nënë Terezë është për
ne shembull nxitës për t’u imituar; ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj
rruge ungjillore, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të mbushemi
me praninë e Zotit.” Në përfundim të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat
fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së
Lumturimit të saj më 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar
me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e këtë bamirëse të palodhur të
njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë.
Ta pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj”. E tani, dëgjues të nderuar
ta dëgjojmë pjesën e Ungjillit të festës liturgjike të Lumes Nënë Terezë nga Shën
Mateu Ungjilltar e pastaj homelinë e shkurt nga kryeipeshkvi i Tiranës imzot Rrok
Mirdita. Nga Ungjilli i shenjtë sipas Mateut. Në atë kohë, Jezusi pa
një turmë të madhe populli e tha: 31 “E kur të vijë Biri i njeriut në
madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.
32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë
njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do
t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. 34 Atëherë Mbreti
do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim!
Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse
pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët,
isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në
burg e erdhët tek unë.’ 37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri,
kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38
Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur
të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet:
‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të
vegjël, e bëtë për mua.’ Fjala e Zotit! E tani homelinë e kësaj festa
ta dëgjojmë nga imzot Rrok Mirdita..