2009-09-04 18:04:04

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Bujaria e fëmijëve të varfër”


(04.09.2009 RV)RealAudioMP3 Në leximin e sotëm radiofonik të librit ‘Jeta ime’, emisioni i tridhjetë i rubrikës ‘Me Nënë Terezën”, Themeluesja e Motrave të Bamirësisë na jep një mësim tejet të çmuar, të cilin edhe ajo vetë e ka nxënë nga të tjerët. Nuk është fjala për ndonjë leksion që jepet në auditore universitetesh, as në klasa shkollash për të pasur, të cilat nuk ishin të panjohura për profesoreshën e aftë të gjeografisë. Jo! Nënë Tereza e mori këtë mësim, për të cilin na flet sot, nga fëmijët e saj të varfër. Në një botë ku sundon egoizmi më i shfrenuar, ku njeriu shpesh herë është ujk për njerinë. E sot na e shpjegon edhe ne:

“Kremtuam një festë edhe për fëmijët.
Drejtorët e disa prej ndërmarrjeve të mëdha erdhën t’u shpërndajnë ushqime e ëmbëlsira fëmijëve të lagjeve të varfëra.
Për fëmijët më të varfër, motrat përgatiten veshje speciale, në mënyrë që të festonin të veshur, ashtu si nuk ishin veshur kurrë: me rroba të reja e të bukura.
Fëmijët u kënaqen shumë duke e parë veten e njëri-tjetrin të veshur në atë mënyrë.
Festa u organizua në një skenë të këndshme: në parkun më të bukur të Kalkutës.
Duke kaluar nga një grup tek tjetri, zbulova se shumë fëmijë hanin vetëm një nga ëmbësirat e paketës që u kisha dhuruar, ku kishte pasta, biskota, karamele, fruta të thata etj etj…
Kur i pyeta pse nuk i hanin të tëra, m’u përgjigjen se në shtëpi kishin vëllezër e motra të tjera, e se dëshironin t’i ndanin me ta ëmbëlsirat.
Fëmijët e varfër e kanë shumë të zhvilluar dëshirën për ta ndarë gjithçka marrin, me të tjerët; shumë më tepër se fëmijët e pasur, që nganjëherë pasja e tepërt i bën të mendojnë vetëm për vete.
Një ditë më pas u dhamë të hanë rreth njëzetmijë të varfërve.
M’u kujtua porosia e Jezusit në Ungjill: “Kur bën ndonjë festë, mos fto të pasur, por të varfër, të çalë e të verbër. Dil në rrugë e nëpër shtigje, mblidhi e jepu të hanë. I madh do të jetë shpërblimi yt në qiell, mbasi ata nuk mund të të shpërbejnë, as nuk mund të të ftojnë në festat e tyre. Ata nuk kanë festa”.
Prandaj e organizuam këtë festë, pikërisht për bijtë e atyre, që nuk e dinë ç’do të thotë të festosh!E gjëja më e bukur e kësaj feste ishte se vetë bamirësit, që i kishin përgatitur dhuratat, u shërbenin me duart e tyre e me dashuri të madhe fëmijëve, në festën e organizuar për ta. Shpërndanin, kështu, dhuratën më të madhe: dashurinë e njeriut për njeriun, duke e predikuar këtë ndjenjë të pazevendësueshme, jo me fjalë, por me vepra, si Jezusi!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.