Me 3 shtator, Kisha përkujton Shën Gregorin e Madh, papë i mesjetës e model për
barinjtë dhe autoritetet civile të mijëvjeçarit të tretë.
(03.09.2009 RV)Sot me 3 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të
Shën Gregorit të Madh, Papë e Doktor i Kishës. Shën Gregori romak e murg
është ndër papët më të mëdhenj në historinë e Kishës. Me largpamësi profetike, Gregori
e kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga takimi mes trashëgimisë romake dhe popujve
të ashtuquajtur “barbarë”, falë forcës së lidhjes e ngritjes së lartë morale të Krishterimit.
Shën Gregori i Madh ishte i jashtëzakonshëm, i madh në zellin apostolik e i përvujtë
në shërbim të Kishës, shërbëtor i shërbëtorëve të Hyji. Jeta e tij, që zgjati nga
viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme: në moshën 30 vjeçare u bë prefekt
i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa dëshirën e vet. Ishte një papë që
bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues
e asketik të jetës oshënare. Gregori i Madh shkruante kështu mes tjerash: “Jeta
e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe e veprimit,
e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet plot mëshirë mbi shqetësimet
e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para mjerimit të tjetrit, është masa
e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5) Në ndryshim nga perandori
bizantin, që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të
pagdhendur e grabitqarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, Shën Gregori
i shikonte me sytë e bariut të mirë, që dëshiron t’ua kumtojë dhe atyre fjalën e shëlbimit,
duke lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore. Njihte thellësisht Shkrimin Shenjt,
Biblën, që vijonte ta lexonte me fe e përvujtëri, e me të njëjtën përvujtëri e fe
ua shpjegonte besimtarëve: “Përvujtëria intelektuale është rregulli kryesor për
atë, që kërkon të depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke u nisur nga Libri i
Shenjtë, Bibla. Përvujtëria nuk e përjashton studimin serioz, por është e domosdoshme,
në se duam që ky studim të jetë shpirtërisht i frytshëm, duke i krijuar studiuesit
mundësinë të hyjë në thellësi të teksteve. Vetëm kështu mund të dëgjohet e të perceptohet
me të vërtetë zëri i Zotit. Nga ana tjetër, kur kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të
kemi parasysh se nuk mjafton ta kuptosh, në se kuptimi i saj nuk të nxit edhe të veprosh”.
Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të dendur baritore e civile,
reformoi muzikën liturgjike e cila, nga emri i tij, u quajt këngë ‘gregoriane’. Pati
në qendër të vëmendjes të varfërit. “Ishte njeri që qe bërë një me Zotin. Kishte
etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin e ndjente deri në thellësi të shpirtit.
E pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve
të kohës së vet. Në këtë kohë tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, Shën Gregori
i Madh diti të sjellë paqe e të japë shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund
të gjinden burimet e vërteta të paqes, na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj
mund të themi me plot bindje se edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”, tha Papa aktual Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 28 majit të vitit 2008.