(03.9.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 shtator përkujtojmë
përvjetorin e lindjes së françeskanit shqiptar Atë Pal Dodajt OFM, të parit provincial
shqiptar të Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë. Atë Pal Dodaj lindi në Janjevë
afër Prishtinës, në Kosovë, më 3 shtator të vitit 1889. Ende i vogël, shkoi në Shkodër
për t’u shkolluar ndër Etërit Françeskanë, me njetin të vishte zhgunin e Shën Françeskut
të Asizit. Nisi prandaj mësimet në Kolegjin e Troshanit, ndërsa noviciatin si dhe
studimet filozofike e teologjike i kreu në Firence të Italisë. Aty, më 19 korrik 1902
kremtoi edhe Meshën e Parë, për t’u kthyer menjëherë në Atdhe, i gatshëm për t’i shërbyer
Kishës e Kombit. Filloi punën si profesor i filozofisë, ndërsa u caktua edhe si Guardian
e më pas, epror provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare, I dashur
me të gjithë, Atë Pal Dodaj solli në provincë frymën e gëzimit të vërtetë françeskan,
të paqes e të të mirave. Atë Pal Dodaj njihet edhe si mbrojtës e mbështetës së njerëzve
që kultivonin kulturën e ndihmonin çështjen e Kombit Shqiptar. Kuvendin Françeskan
të Rubikut e ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit nga padrejtësitë e një
kështjellë të idealeve të lirisë e të pavarësisë. Atë Pal Dodaj qe historian e publicist.
Botoi në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor
i rregullt i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. La pas vete edhe vepra
të rëndësishme si kronika, “Shqipnia e kohës së mesme” (1913), “Dorëshkrimet e Atë
Gjeçovit” (Romë 1936), Provinça misionare e Zojës Nunciatë në Shqipëni” (1923). Veprimtaria
e françeskanëve në Shqipni (Milano 1940); së bashku me Atë Gjergj Fishtën e Zef Schiroin
përktheu në italisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që u botua nga Akademia Italiane
në Romë më 1941. Për të gjitha këto e veprimtari tjera në fusha të ndryshme në
shërbim të popullit e Kishës, Atë Pal Dodaj ka merita të padiskutueshme sepse punoi
dhe i shërbeu “Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e
torturuar mizorisht sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të
moshës së shtyrë, e dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm,
prej nga e liroi shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga
qelitë e burgut komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.