2009-09-02 12:36:14

Përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe, dom Simon Filipaj në 10 vjetorin e vdekjes.


02.9.2009 RV)Sot më 2 shtator përkujtojmë mons. Simon Filipajn në 10 vjetorin e vdekjes.
Figurë poliedrike, dom Simon Filipaj me veprimtarinë e tij në fushën biblike e teologjike, që la në gjuhën shqipe kryeveprën botërore, Librin e Shenjtë, Biblën. Në përkthimin e plotë të Biblës, dom Simon Filipaj punoi tërë jetën me një përkushtim, dashuri e urti të jashtëzakonshme duke shkri të gjitha energjitë e dhantitë që Zoti i kishte dhuruar.
Krahas veprimtarisë meshtarake në famullinë kishtare që iu kishte besuar, dom Simoni punoi edhe në përkthimin shqip të librave liturgjike nga meshari romak, leksionarët, ritualët e tjerë. Kështu me Biblën në gjuhën shqipe e vepra tjera, dom Simon Filipaj dha një kontribut të dorës së parë për kulturën ndër shqiptarë.
Në arkivin tonë të Radio Vatikanit ruajmë zërin e dom Simon Filipajt, e në mënyrë të posaçme dëshminë e tij dhënë menjëherë pas njërit nga çastet më të rëndësishme e të lumtura të jetës së tij: takimin që pati me Papën Gjon Palin II në Vatikan më 10 tetor të vitit 1994, me të cilin rast i shoqëruar nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirditën, dom Simon Filipaj i dhuroi personalisht Atit të Shenjtë kopjen e Biblës në gjuhën shqipe. E Papa Gjon Pali II me Biblën në gjuhën shqipe në dorë, duke përgëzuar dom Simonin për punën kolosale që kishte bërë i tha: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe e radhite popullin tënd shqiptar ndër popujt e mëdhenj të qytetëruar, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë dhe fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë populli shqiptar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.