2009-09-02 17:40:48

Britani, dy shqiptarë viktima të një sulmi racist


(02.9.2009 RV)Një emigrant shqiptar në zonën Hampshire është goditur barbarisht gjatë një sulmi të paprovokuar me motive të pastra raciste. Ngjarja ka ndodhur në qytezën Winchester, në jug të Anglisë, kur emigranti shqiptar 31 vjeç, ndërsa po ecte me të vëllain e tij, është goditur në kokë nga dy qytetarë anglez.
Policia lokale  nuk bën të ditur emrin e shqiptarit por thotë se sulmi ishte tërësisht i paprovokuar. Nga ky sulm i riu shqiptar ka përfunduar në spital me nofull të thyer. Një zëdhënës i policisë i deklaroi për Top Channel, se dy vëllezërit shqiptare ishin duke ecur pranë vendit të quajtur  “Theatre Royal”, kur një person ende i paidentifikuar rreth të 30-tave, nisi të bërtasë duke ofenduar shqiptarët.
Atij i është bashkuar edhe një person i dytë i moshës 20 vjeç duke nisur një sulm ndaj shqiptarëve.
Njëri prej dy vëllezërve  ka pësuar dy thyerje të nofullës, dëmtime në brendësi të veshit dhe të çara në kokë.
“Ky ishte një sulm krejtësisht i pa provokuar i cili çoi në dëmtime serioze të viktimës” ka deklaruar  Richard Matthews nga policia e Winchester-it  që po heton ngjarjen.
Sipas tij dy vëllezërit shqiptarë të sulmuar ishin viktima të një sulmi racist, kjo bazuar në komentet e agresoreve përpara goditjes. Richard Matthews thotë se një krim i tillë ndodh tepër rrallë në qytezën Wincherster. Nga Top Channel







All the contents on this site are copyrighted ©.