2009-09-02 17:02:52

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: mirësia e Zotit e shpëton botën nga të këqijat.


(02.09.2009 RV)Në epoka tejet të brishta, është mirësia e Zemrës së Zotit ajo, që e shndërron botën dhe e bën të papërshkueshme nga veset”. Këtë mësim, plotësisht të vlefshëm për realitetin bashkëkohor, na e jep një murg mesjetar francez, Shën Odoni. Pikërisht për të u foli sot paradite Benedikti XVI rreth 8 mijë shtegtarëve, të mbledhur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa rifilloi, kështu, pas pushimeve të verës, ciklin e katekizmit kushtuar shkrimtarëve të Kishës së lashtë lindore e perëndimore. E duke kujtuar absurditetin e Luftës II Botërore, Benedikti XVI - i cili në përfundim të audiencës u rikthye në Kastel Gandolfo – u lut që fryma e faljes dhe e paqes ta mbushë përplot zemrën e të gjithë njerëzve.

“Njeri i mirë në shpirt, i rreptë në dukje, thjeshtësia e të cilit iu kundërvu, si pritë, vërshimit të veseve të kohës së tij, asaj mesjetare, ndërmjet viteve 800 e 900 pas Krishtit”. Kështu ishte Shën Odoni, abat i Klyni-t, të cilin Benedikti XVI ua paraqiti shtegtarëve si figurë të ndritur të Kishës së asaj epoke:
Kjo figurë vendoset në atë mesjetë murgare, që pa si përhapej papritmas në Evropë jeta e përshpirtëria e frymëzuar nga Rregulla e Shën Benediktit. Në këto shekuj u vërejt lindja e shumëzimi i mrekullueshëm i kiostreve të cilat, duke u degëzuar në Kontinent, përhapen gjërësisht frymën dhe ndjeshmërinë e krishterë”.
Duke folur për jetëshkrimin e Shenjtit, Papa shpjegoi se Shën Odoni hyri në manastir jo vetëm pse e joshi përvoja benediktine, por edhe pse ndjeu fuqimisht shtytjen e Virgjërës Mari, Nënës së Mëshirës, së cilës iu lut me gjithë zemër që në moshë të njomë. I rritur nën hijen e një Shenjti tjetër të ardhshëm, Martinit të Turit, Odoni zuri vend në Klyni, ku në vitin 927 u bë abat. Personaliteti i tij – pohoi Benedikti XVI - do të ushtronte një ndikim të ndjeshëm mbi manastiret evropiane, në radhë të parë falë virtyteve të tij të jashtëzakonshme si abat: duresës, përbuzjes për kotësitë e kësaj bote, vëmendjes ndaj të varfërve, kujdesit për të rinjtë, respektit për të moshuarit. Papa theksoi veçanërisht devocionin e madh që kishte abati për Korpin e për Gjakun e Krishtit, në kundërshtim me shkujdesjen, që vërehej në kohën e tij:
“Për fat të keq, shënon abati ynë, ky mister i Shenjtë i Korpit të Zotit, në të cilin gjindet gjithë shëlbimi i botës, kremtohet shkujdesshëm. Vetëm ai që është i bashkuar shpirtërisht me Krishtin, mund të marrë pjesë denjësisht në Korpin e Tij eukaristik: në rast të kundërt, të hash Korpin e Tij e të pish gjakun e Tij, nuk do të ishte përfitim, por dënim. E gjithë kjo na nxit ta besojmë me forcë e thellësi të re të vërtetën e pranisë së Zotit (…) që lëshohet në duart tona e na shndërron, ashtu si shndërron bukën e verën e si shndërron, kështu, edhe botën”.
Abati Odon – vijoi të shpjegonte Papa – spikat si reformator. Përballë veseve, tejet të përhapura në shoqërinë ku jetoi, propozonte ilaçin e ndryshimit rrënjësor të jetës, bazuar mbi përvujtërinë, mbi shkëputjen nga kotësitë kalimtare, për t’u bashkuar me realitetet e amshuara. Por, pas velit të një rreptësie të tillë, ai fshihte një nga vetitë kryesore të karakterit:
Ishte i rreptë, por sidomos, i mirë; njeri me mirësi të madhe, që i buronte në shpirt nga lidhja e ngushtë me mirësinë hyjnore (…). Në këtë mënyrë, abati i fortë e njëkohësisht i ëmbël mesjetar, plot pasion e vendosmëri për reformën, u përçonte murgjërve të tij, ashtu si dhe laikëve e kohës, propozimin që të ecnin me hap të matur në rrugën e përsosurisë së krishterë. Shpresojmë se mirësia e tij, gëzimi që vjen nga feja, të bashkuara me rreptësinë e me kundërshtimin e veseve të botës, ta prekin edhe zemrën tonë, që edhe ne të mund të gjejmë gurrën e gëzimit, e cila buron nga mirësia e Zotit”.
Në përfundim Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë edhe pjesëmarrësve në një simpozium ndërkristian, organizuar nga Universiteti Papnor Antonianum dhe Universiteti Aristoteles i Selanikut. Uroj – tha në përfunim Papa – që reflektimi i përbashkët ndërmjet katolikëve e ortodoksëve mbi figurën e Shën Agostiniut, t’i shpejtojë hapat tanë drejt bashkimit të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.