2009-09-01 13:32:15

Çelësi i fjalëve të Kishës: domethënia e fjalës “hermeneutikë”


(01.09.2009 RV)Kjo fjalë, shumë e dashur për filozofinë dhe teologjinë bashkëkohore, i ka rrënjët tek zoti pagan grek Hermes, i cili konsiderohej si ndërlidhës i hyjnive të Olimpit me njerëzit, pra shprehte dhe interpretonte vullnetin e zotave, duke ua bërë atë të qartë njerëzve. Praktikisht, termi “hermeneutikë” tregon “interpretim”, sidomos kur ai është i ndërlikuar, pasi mesazhi formulohet në shkrime që kanë natyrë të errët e të veçantë. Është rasti i Biblës, që zbulon natyrën e saj të dyfishtë: nga njëra anë, ajo është komunikim hyjnor, trashendent, e për këtë arësye, e destinuar të ketë vlerë absolute e të përhershme; nga ana tjetër, ajo paraqitet me një gjuhë, gjini letrare dhe përvojë historike të lidhura thellësisht me autorët njerëzorë në kohë e hapësirë.
Ja pra, pse bëhet e nevojshme vendosja e një rregulli për ta interpretuar atë ashtu si duhet, duke ia ruajtur Biblës karakterin e saj të dyfishtë. Në të vërtetë, ashtu si Fjala mishërohet në Jezu Krishtin, ashtu edhe Bibla është Fjala e Hyjit, që mbetet në amshim, mishëruar në fjalë e ngjarje njerëzore, të cilat janë historike e të lidhura me rrethanat. Për këtë arësye, është përpiluar një “hermeneutikë” mjaft e gjerë, e cila pasqyrohet jo vetëm në teologji, por edhe në letërsi. Të mendojmë për shembull për Dante Aligierin dhe Komedinë e tij Hyjnore.
Kjo hermeneutikë përfshinte katër “kuptime” biblike. I pari ishte ai “i mirëfilltë”, që shprehte domethënien e saktë të teksteve të shenjta, ashtu siç janë hartuar nga autorët. Duhet të kemi parasysh se “i mirëfilltë”, apo “fjalë për fjalë”, nuk do të thotë ta kuptosh Biblën ashtu siç e kuptojnë fondamentalistët, të cilët ngatërrojnë mënyrën e të shprehurit – shpesh të ndryshme nga e jona – me vetë mesazhin.
Kur, për shembull, Bibla thotë “të mos hahet apo preket gjak” nuk duhet kuptuar në sensin material, duke ndaluar kështu transfuzionin e gjakut, siç bëjnë Dëshmitarët e Jehovait, por thjesht, si një formulë tipike e gjuhës dhe kulturës lindore për të pohuar përparësinë e shenjtë të jetës. Në të njëjtën mënyrë, nëse Jezusi thotë “jini gati – të veshur e të ngjeshur” në Ungjillin sipas Lukës (12,35) nuk jep urdhëra mbi veshjen, por përdor një metaforë të kohës së vet për t’u thënë njerëzve të tregohen vigjilentë e të qëndrojnë në gatishmëri.
Tri kuptimet e tjera, ai “i plotë”, ai “alegorik” dhe ai “anagogjik” na çojnë në përmasën shpirtërore, trashendentale dhe morale të tekstit biblik, duke zbuluar – përmes kritereve të përcaktuara – qëllimin e lartë që kishte Zoti, i cili foli përmes profetëve dhe dijetarëve, ungjilltarëve dhe apostujve. Kështu, figura e mbretit David, “mesi” sepse “i shuguruar”, na çon në zbulimin e Mesisë së vërtetë, Jezu Krishtit. Për të kryer këtë operacion delikat “hermeneutike”, pra interpretimi, Krishti i ka premtuar Kishës së vet praninë e vazhdueshme të Shpirtit të së vërtetës, që “do t’ju mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë” (Gjoni 14,26).
“Hermeneutika” moderne përdor edhe mjete më të sofistikuara, të gjetura me ndihmën e disiplinave filozofike, historiko-kritike, gjuhësore dhe teologjike. Nga njëra anë, ajo na çon te rrënjët e tekstit, për ta kuptuar atë plotësisht; nga ana tjetër, na çon në horizontin e lexuesit të sotëm, në mënyrë që mesazhi fillestar të rilexohet e të rijetohet sipas koordinatave të reja historiko-kulturore.







All the contents on this site are copyrighted ©.