Sot me 1 shtator kalendari Kishtar përkujton festën e Shën Egjidit, abat
(01.09.2009 RV) Duke shfletuar kalendarin, sot me 1 shtator Kisha përkujton
festën e Shën Egjidit, abat Epoka në të cilën jetoi Egjidi abat
(në frëngjisht Zhil), nuk njihet me saktësi. Disa mendojnë se është fjala për Egjidin
që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë
se jetoi një shekull e gjysmë më vonë dhe e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720
e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së
tij. E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të ndryshme të jetës së shën Egjidit, gojëdhëna
kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy dritaret e mëdha (vetratat) e
në një skulpturë në portën e Kishës Katedrale të Shartrë. Në këto dritare
të mëdha apo vetrata të Katedralës, Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke
ndërmjetësuar pranë Zotit për hirin e faljes së një mëkati që kishte bërë Karli i
Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari tjetër. Por duhet të
kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814. Varri i Shenjtit, që nderohet
në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi të jetë i epokës merovinge, ndonëse
shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty nga shekulli X, atëherë kur u shkrua
edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është një përmbledhje gojëdhënash,
që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i përforcuar besimtarët në fe.
Të shumta janë dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë, Belgjikë e Holandë. Shën
Egjidi është pajtor i vetmitarëve apo oshënarëve, nënave e kuajve. Emri i tij vjen
nga greqishtja e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor
e të drenushës. E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit
një drenushë për ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vetmuar, larg çdo fytyre
njerëzore, në mes të një pylli të dendur. Në familjen françeskane emri Egjid
është shumë i dashur, sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri,
është shoku i tretë i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend
e verë’, që kremtohet më 23 prill.