2009-09-01 13:34:13

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Dhurata e çifitit të ri”.


(31.08.2009 RV)Në leximin e sotëm radiofonik të librit ‘Jeta ime’, Nënë Tereza na tregon një ngjarje të thjeshtë, por thellësisht domethënëse, që na nxit të meditojmë për kuptimin e vërtetë të fjalëve varfëri e pasuri. Me dritë–hijet, që krijojnë kontrast të fortë, na çon nga vendet më të pasura të perëndimit, në ato më të varfërat të botës lindore. E na shoqëron në një mjedis hinduist, ku bëhet një dasëm jo e zakonshme, me të cilën na njeh biseda e njëzetegjashtë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, që titullohet “Dhurata e çiftit të ri”:

“Sa herë shtegtoj nëpër Evropë ose nëpër Amerikë, më prek thellë në shpirt mjerimi i njerëzve.
Çuditem kur shoh me sytë e mi sa njerëz vërtetë të mjerë ka në vendet materialisht të pasura.
Tronditesh kur vëren, në vendet e botës perëndimore, numrin e familjeve të shkatërruara e të fëmijëve të braktisur nga vetë prindërit e tyre.
Vërejmë se në Amerikë e në Evropë, pasuria e pafundme materiale bashkëjeton me varfërinë e thellë shpirtërore, me mungesën e plotë të vlerave.
E përsëris: në se ka ndonjë gjë për të cilën nuk mendoj fare, është paraja.
Arrin gjithnjë, në mënyra nga më të ndryshmet.
Punojmë për Zotin e edhe ai duhet të punojë për ne.
Pak javë më parë, erdhi për vizitë një çift i ri, i sapomartuar. Bashkëshortët më dhuruan një shumë të madhe parash për të varfërit.
I pyeta ku i kishin marrë gjithë ato para.
M’u përgjigjen:
“U martuam dy ditë më parë. Por, që para dasmës, morëm vendim të heqim dorë nga veshjet e çmuara, nga gostitë, nga salltanetet, nga dasmorët, për t’ia dhuruar paratë të varfërve”
E di mirë ç’do të thotë një flijim i tillë për një familje hinduiste.
Prandaj edhe vijova t’i pyes:
“E pse e bëtë këtë?”.
U përgjigjen pa kurrfarë ngurrimi:
“Dashuria që ndjejmë për njëri-tjetrin është aq e madhe, sa nuk mund ta mbajmë vetëm për vete. Deshëm, prandaj, ta ndajmë me të varfërit. E kështu provuam një nga gëzimet më të mëdha, pikërisht në sa bëjmë hapin e parë krah për krah në rrugët e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.