2009-09-01 13:34:55

Rubrika ‘Me Nënë Terezën': “Në shtëpitë tona, gjëja e parë është kapela”


(01.09.2009 RV)Në leximin e sotëm radiofonik të librit ‘Jeta ime’, emisioni i njëzeteshtatë, Nënë Tereza na kujton kremtimet e mëdha të motrave të saj e frytet e festave të tyre të pazakonta. Na flet, pastaj, për dhomën e miqve në banesat e Kongregatës, duke na kujtuar se zemra e shtëpive ku banojnë motrat e saj është kapela, e në të, tabernakulli ku ruhet kelku me gjakun e shuguruar të Jezu Krishtit e hostja, buka për jetën e pasosur, shujta themelore për motrat, që kryqëzohen ditë për ditë në kryqin e varfërisë të të tjerëve, si Jezusi. Ta ndjekim tregimin e Nënë Terezës:

“Në vitin 1975 kremtuam dasmën e argjendtë të Kongregatës sonë. Ju e dini, dasma e argjendtë përkon me 25-vjetorin e martesës. Vijnë, pastaj, dasma e artë, kur kanë kaluar 50 vjet e, për ata që kanë fatin ta kremtojnë, dasma e diamantë, në 70-vjetorin e ngjarjes së madhe. Kjo për njerëzit. Kongregata jonë kremton përvjetore të tjera: gjithsesi, të argjendta, të arta, të brilanta! I nisi këto kremtime me 25-vjetorin e Shtëpisë së njerëzve në prag të vdekjes (që ne, në gjuhën vendase, e quajmë Nirmal Hriday: Zemra e Papërlyer), e cila hapi për herë të parë portën e saj mikpritëse për njerëzit në grahmat e fundme, në gusht të vitit 1952, pikërisht në solemnitetin e Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar. Kremtuam, pastaj, dasmën e argjendtë të Shtëpisë për fëmijët e braktisur (që njihet me emrin Shishu Bhavan); e edhe atë të kushteve tona të para brenda Kongregatës si Misionare të Bamirësisë.
Po kulmi i këtyre përvjetoreve, ishte Jubileu i Jezusit: vit i kremtimeve të posaçme kushtuar Zotit tonë, Jezu Krishtit.
Një nga frytet e jashtëzakonshme të këtij jubileu, ishte themelimi i njëzet e pesë shtëpive të reja, të gjitha, të pajisura me kapelën e tyre e me tabernakullin tyre, për të përbujtur Jezusin.
Gjëja a parë, që çojmë në shtëpitë tona, është tabernakulli me kelkun për Meshën Shenjte.
Sa herë hapim një shtëpi të re, i pari banor i saj është Jezusi.
Për sigurimin e njëzet e pesë tabernakujve e njëzet e pesë kelkeve, menduan ipeshkvijtë gjermanë: na i bënë dhuratë për Jubileun e Jezusit.
Shtëpia numër njëzet e pesë e Vitit Jubilar të Jezusit, ishte ajo që hapëm në Beirut.
Hapat e para i bëmë drejt kapelës.
Çdo shtëpi e ka një dhomë a një skaj për miqtë.
Dhoma më e mirë e shtëpive tona, është dhoma e mikut tonë më të madh, Jezusit.
Nganjëherë, kur arrijmë në një vend, për të hapur shtëpinë tonë të re, e vetmja dhomë e gatshme është kapela.
Në të vërtetë kapela është mjedisi i parë, ku i shoqërojmë mysafirët e vizitorët.
Është pasuria jonë më e madhe: dhoma e Jezusit, zotshtëpie në të gjitha banesat tona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.