2009-09-01 15:24:14

Papa Benedikti XVI priti në audiencë udhëheqësit e Komunitetit të Shën Egjidit të Romës


(01.9.2009 RV)Papa Benedikti XVI priti dje në audiencë prof. Andrea Rikardin, themeluesin e Komunitetit të Shën Egjidit, presidentin e këtij Komuniteti Marko Impaliaco dhe ipeshkvin e Ternit, imzot Vinçenco Palja, që udhëheq komisionin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane për dialogun ekumenik. Gjatë takimit, që u mbajt në prag të përkujtimit të sotëm liturgjik të Shën Egjidit, janë trajtuar disa tema si varfëria në botë, kurimi i Sidës në Afrikë, e sidomos Takimi i ardhshëm Ndërfetar i Lutjes për Paqen, që Komuniteti i Shën Egjidit organizon në Krakovi të Polonisë nga data 6 deri më 8 shtator.
Tema e sivjetme e këtij Takimi Ndërfetar është “Fetë e kulturat në dialog 70 vjet pas shpërthimit të luftës së dytë botërore”. Një ngjarje kjo, që pikërisht për temën dhe vendin e zgjedhur, e në referim të kujtesës të asaj që ka ndodhur dhe të dialogut ndërmjet feve, është i rëndësie të posaçme për Kishën.
Të shumtë janë mysafirët e këtij takimit e ndër personalitetet, që do t’u bëj nder miqve kujtojmë kryeipeshkvin e Krakovisë, kardinalin Stanislav Xhivish, ish sekretar personal i Gjon Palit II. Përveç Kardinajve e personaliteteve tjera të bashkësive fetare botërore që do të marrin pjesë në këtë takim, do të jenë edhe përgjegjësi i Vatikanit për dialogun ekumenik, kardinali Kasper, Presidenti i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Rilko e personalitete nga bota hebraike e islame.







All the contents on this site are copyrighted ©.