2009-09-01 16:26:10

I dorëzohet Papës programi i Konferencës ndërkombëtare kushtuar personave të shurdhër në Kishë.


(01.9.2009 RV)Dikasteri Shëndetësor i Vatikanit i ka paraqitur Papës programin e Konferencës së ardhshme të nëntorit, kushtuar pranisë së personave të shurdhër në Kishë.
“Synimi që kemi me zgjedhjen e kësaj teme është për t’i ofruar Kishës rastin që të vlerëson kontributin e personave të shurdhër në fusha të ndryshme të apostullatit, duke njohur dhe pranuar kështu vlerën e punës së tyre”. Në këtë mënyrë kryeipeshkvi Zigmunt Zimovski, president i Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, i paraqiti këtyre ditëve Papës Benediktit XVI programin e Konferencës së 24-të ndërkombëtare që do të zhvillohet në Vatikan nga data 19 deri më 21 nëntor.
“Ndërhyrjet në sallën e punimeve të kësaj konference ndërkombëtare, nënvizoi përgjegjësi i dikasterit të Vatikanit, do të trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me kushtet e personave të shurdhër në aspektin sociologjik, psikologjik, mjekësor, familjar e sidomos baritor”, me qëllim që të “sensibilizohet e tërë bashkësia kishtare dhe t’i jepet një shtytje nismave konkrete dhe efikase, në nivelin shoqëror e kishtar, për të lehtësuar kështu vështirësitë dhe vuajtjet e personave të shurdhër”.
Ndër relatorët që do të marrin pjesë në Konferencë, janë kardinali Havier Lozano Barragŕn, president nderi i dikasterit të Vatikanit, kryeipeshkvi i Liverpulit, Patrik Kelli, president i International catholic foundation for the servis of deaf persons, dhe atë Gjerard Tirrel, drejtor i kapelanisë për persona të shurdhër në Dublin. Mjekë dhe ekspert ndërkombëtar në fushën psikologjike, në mjedisin familjar të personave të shurdhër e të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.