2009-08-31 18:42:51

Në shtypin ndërkombëtar, fjalët e shkëmbyera nga Papa Benedikti XVI dhe Ted Kenedi, para vdekjes së senatorit amerikan


(31.08.2009 RV)Patën jehonë të madhe fjalët, që Papa Benedikti XVI dhe senatori Ted Kenedi, i cili ndërroi jetë më 25 gusht, i shkruanin njëri-tjetrit në letrat që shkëmbyen në korrik, kur presidenti amerikan Barak Obama i dha Atit të Shenjtë letrën e Kenedit. Ajo dhe përgjigjia e Papës u bënë të njohura të shtunën nga kryeipeshkvi i nderit i Uashingtonit, Teodor MekKerrik, gjatë funeralit të kremtuar në Varrezën e heronjve në Arlington të Virgjinies.
“E di se kam qenë një njeri jo i përsosur – shkruan Ted Kenedi – por me ndihmën e fesë jam përpjekur ta ndreq rrugën time”. Përgjigjet Benedikti XVI: “Lutem që në ditët që vijnë, t’ju mbajë feja dhe shpresa”. Qe vejusha e senatorit, Viki, ajo që deshi të bëhej publik teksti i letrës së të shoqit drejtuar Atit të Shenjtë. “Shkruaj me përvujtëri të madhe – lexohet në letër – për t’ju kërkuar që të luteni për mua, ndërsa shëndeti më keqësohet. Më kanë diagnostikuar tumor në tru para një viti, e pavarësisht nga kurat, sëmundja po ecën përpara. Jam 77 vjeç e po përgatitem për kalimin e ardhshëm të jetës”. Jetë, që senatori amerikan e konsideron të jashtëzakonshme, për faktin se ka qenë pjesë e një familjeje të mrekullueshme e sepse, prindërit, sidomos e ëma e kanë vendosur gjithnjë fenë në qendër të jetës së bijve. “Dhurata e fesë – shkruan Ted Kenedi – më ka mbajtur e ushqyer në orët më të errta”. Më pas, ai përshkruan se me ç’frymë ka shërbyer gjatë 50 vjetëve të kaluara në Kongresin amerikan.
“Afërsia shpirtërore” është ndjenja e parë që Benedikti XVI i shpreh senatorit, në letrën e përgjigjes që i është dërguar Ted Kenedit dy javë pas marrjes së letrës së tij, përmes presidentit amerikan Obama. Papa tregohet i shqetësuar për shëndetin e politikanit të shquar, por edhe e falenderon për lutjet e senatorit për Atin e Shenjtë e për Kishën. Lutem, shkruan Benedikti XVI, që ju “me gëzim ta lëshoni veten në duart e Zotit”. Papa përmend së fundi, “ngushëllimin dhe paqen e premtuar nga Shëlbuesi i Ngjallur të gjithë atyre që ndajnë me të vuajtjet e besimin në jetën e pasosur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.