Kuvendi i ri i Shqipërisë më 7 shtator fillon punimet.
(31.8.2009 RV)Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, ka dekretuar datën 7 shtator
për mbledhjen e parë të Parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, që
shënon edhe hapjen zyrtare të punimeve të legjislaturës së 18-të parlamentare. Pas
thirrjes se Kuvendit, partia fituese në zgjedhjet e 28 qershorit do të mandatohet
nga Presidenti i Shqipërisë për formimin e qeverisë së re. Ndërkaq mandatari për krijimin
e kabinetit të ri qeveritar do të nisë zyrtarisht bisedimet për formimin e qeverisë
së re. Seanca e parë e Parlamentit të Tiranës pritet të drejtohet nga Kryeministri
Sali Berisha, i cili për një ditë do të jetë njëkohësisht dhe kryetar parlamenti,
meqë Berisha është deputeti më i vjetër i Kuvendit. Pas përfundimit më 2 shtator
të mandatit të deputetëve të parlamentit parardhës, 7 shtatori do të shënojë konstituimin
e trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh, të zgjedhur nga votat e 28 qershorit.
Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas
zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt
nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti
i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të
mandatit të Kuvendit paraardhës, (2 shtator), por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit
të këtij mandati. Rregullorja parlamentare përcakton procedurat që ndiqen
në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet
nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk
zhvillohet asnjë debat. Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve
të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e
Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin
përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin
për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri
në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen
për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.
Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit
dhe të Byrosë së Kuvendit. Kandidati për Kryetar i Kuvendit propozohet nga
të paktën 15 deputetë, ndërkohë që një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një
kandidat. Në Kuvendin e ri për katër vitet e ardhshme priten ndryshime edhe
në numrin e grupeve parlamentare. Kështu, nga 10 grupe kuvendore që funksionuan gjatë
mandatit 2005-2009, në legjislaturën e re pritet të jenë vetëm tre të tilla, përkatësisht
grupi i Partisë Demokratike, grupi i Partisë Socialiste dhe grupi i Lëvizjes Socialiste
për Integrim. Kjo e fundit në zgjedhjet e fundit mundi të sigurojë 4 deputetë, të
cilëve do t'i bashkangjiten dhe 3 deputetë të tjerë për të krijuar grupin prej 7 deputetësh
që kërkon rregullorja parlamentare. Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit
u shpall fitues koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit", i cili mundi të sigurojë
70 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" me 66 deputetë
dhe koalicioni "Lëvizja Socialiste për Integrim' me 4 deputetë. PD dhe LSI
kanë rënë dakord për të bashkuar votat në Kuvend dhe për të bashkëqeverisur vendin
në katër vitet në vazhdim.