2009-08-30 12:17:25

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(30.08.2009 RV)Sot me 30 gusht Kisha katolike kremtoi të Dielën e 22-të të kohës së zakonshme gjatë viti kishtar. Përkujtoi edhe Shenjtorët Feliksi, meshtar; Adauti, martir e Pamaku, senator romak.

Jezusi quhet Nazaren për ta bërë të njohur vendin e tij, duke e nderuar si vendi i parë që merr lajmin e mirë të shëlbimit. Por nazarenasve nuk u pëlqen kumtuesi. E ai – u nis e shkoi – na kujton Ungjilli i së hënes 31 gusht, kur do të festohen Shën Raimond Nonati, kardinal, meshtar mercedar; Shën Jozefi i Arimatesë e Nikodemi, dishepuj të Krishtit dhe i Lumi Alfred Hildefons Shuster, kardinal, kryeipeshkëv i Milanos.

Të martën me 1 shtator do të kremtohet Shën Egjidi abat. Në festën e tij liturgjike Jezusi, nga faqja ungjillore, e tregon autoritetin përmes doktrinës e pushtetin, përmes nënshtrimit të shpirtrave të këqinj, që tmerrohen para tij. Kremtohet edhe Dita për mbrojtjen e Krijesës.

Dita e Jezusit është shumë e ngarkuar. Ai u kushton vëmendje të gjithëve: familjarëve e të huajve; forca e tij duket si në shërimin e sëmundjeve, ashtu edhe në dëbimin e shpirtrave të këqij. E gjithë bota përfiton nga vëmendja e Krishtit e nga fuqia e tij. Na e kujton këtë festa e Shën Xenonit, martir i Nikomedisë, që do të kremtohet të mërkurën me 2 shtator.

 
Në ditën e festës së tij, të enjten me 3 shtator Shën Gregori i Madh, papë e doktor i Kishës na nxit të reflektojmë mbi mënyrën e re, me të cilën dishepujt e Jezusit i ndjekin praktikat tradicionale të agjërimit e të lutjes. Mënyra e tyre ndryshon nga ajo e traditës. E Jezusi ngulmon pikërisht tek ‘ndryshimi’, sa i nevojshëm, aq edhe i vështirë.

Të premten me 4 shtator do të kremtohen Shenjtorët Bonifaci I papë, Marini vetmitar, Rozalia Virgjër palermitane e Moisiu, ligjvënës e profet. Na kujtojnë se ligji i Zotit nuk i kundërvihet kurrë së mirës së njeriut. Përkundrazi, e mbron atë.

Të shtunën me 5 shtator kalendari shënon një nga emrat më të dashur për të gjithë shqiptarët: festën liturgjike zyrtare të Kishës kushtuar së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut e cila, në festën e Saj liturgjike na fton të reflektojmë mbi udhën që përshkoi, për t’u lartuar në nderimet e elterit. Udhë e vështirë, por jo e pamundur, në të cilën ecën e mund të ecin edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ndërmjet tyre, 40 kandidatët, në rrugë për t’u shpallur të lum.

E diela e ardhshme me 6 shtator bie e e diela e 23-të e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.