(30.08.2009 RV)Duke vijuar leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’,
në bisedën e njëzetepestë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, sot ndalemi përsëri
tek shenjtëria. E Lumja shqiptare na mëson ç’mund e ç’duhet të bëjmë për të ngjallur
frymën e shenjtërisë, në një botë që rend pas parasë e pas kënaqësive, duke ia përshtatur
gjithçka, e deri fenë, interesave të veta. Duhet të japim shembullin personal përmes
një jete të thjeshtë, të përkushtuar, që flet vetë për lidhjen tonë të ngushtë me
Zotin, pa të cilin njeriu nuk mund ta realizojë kurrë vetveten e aq më pak, të gjejë
lumturinë. Sepse Zoti flet me gojën tonë, shikon me sytë tanë, vepron me duart tona,
dashuron me zemrën tonë e mundohet me e në shpirtin tonë. Prandaj ‘Shenjtëri
e vuajtje” na kujton sot Nënë Tereza, që ta çojmë Zotin në jetën e të gjithë njerëzve:
“Ndihmojini
familjet tuaja t’i pranojnë të varfërit. Jepuni zemër të bëjnë diçka për
mijëra qenie njerëzore, që kanë nevojë për gjithçka, që vuajnë edhe për bukën e gojës. E
përsa ju përket ju, jetoni sa më thjesht që të jetë e mundur. Jepni shembullin
tuaj pikërisht përmes një jete të thjeshtë. Shpirti i varfërisë flet për
lidhje të ngushtë me Zotin. Lëshojeni veten plotësisht në dorë të tij. Shoqërojuni
me të varfërit më të varfër e mundohuni t’u falni atyre kryesisht dashuri. Për të
kanë më shumë uri e etje se për bukën e përditshme e për ujin, pa të cilin nuk mund
të jetohet. Duhet ta shikoni vuajtjen si diçka normale. Madje si privilegj.
Kur vuani, kjo tregon se Zoti është më pranë jush. Në çastet
e hidhura, kur jeta të duket e rëndë, e padurueshme, mos harroni se keni përkrah vetë
Jezusin, se ai nuk i largon për asnjë çast sytë nga mjerimi juaj. Vuajtja
na zbraz nga vetvetja, për t’i krijuar sa më shumë hapësirë Jezusit. Pa
vuajtjen tonë, puna që bëjmë nuk do të ishte tjetër, veçse veprimtari e rëndomtë
shoqërore. Natyrisht, punë e mirë e e dobishme, por që gjithsesi nuk do
të ishte puna e Jezusit, vepra e tij shëlbuese. Jezusi dëshiron të na ndihmojë,
duke jetuar me ne, duke hyrë në vetminë tonë, në agoninë tonë, në vdekjen tonë. U
bë një nga ne, pikërisht për të na shpërblyer. Na kërkohet të bëjmë të njëjtën
gjë.Gjithë mjerimi i të varfërve, e jo vetëm braktisja e tyre shpirtërore,
duhet shëlbuar!E ne duhet të bëhemi një me ta, sepse vetëm duke qenë një gjë e vetme,
mund t’i shëlbojmë, domethënë ta çojmë Zotin në jetën e tyre e t’i marrim për dore,
për t’i çuar tek Zoti!”.