2009-08-30 12:11:07

Papa i nxit liderët botërorë ta mbrojnë ambientin me frymën e solidaritetit për të varfërit.


(30.08.2009 RV)Njeriu nuk është pronar absolut i Krijesës. Nuk është zot i gjithësisë! Benedikti XVI u kërkoi liderëve ndërkombëtarë ta mbrojnë mjedisin, duke u solidarizuar me të varfërit e duke respektuar ligjet. E bëri këtë thirrje të mërkurën e kaluar, në Kastel Gandolfo, gjatë audiencës së përgjithshme, në praninë e më se 5 mijë besimtarëve.
Papa nënvizoi se fenomenet e ndryshme të shkatërrimit ambiental dhe fatkeqësitë e natyrës, që për fat të keq i regjistron shpesh herë kronika, na kujtojnë sa urgjente është të respektohet natyra, duke rivendosur e duke rivlerësuar në jetën e përditshme, lidhjen e drejtë me ambientin.
Kisha, gjithnjë e impenjuar në mbrojtjen e tokës, të ujit e të ajrit, që përpiqet me të gjitha forcat ta mbrojë njeriun nga shkatërrimi i vetvetes, i rikujtoi edhe një herë mbarë njerëzimit se po të mungojë lidhja e krijesës njerëzore me Krijuesin, materia i nënshtrohet vetëm përdorimit egoistik, njeriu bëhet instanca e fundit, e qëllimi i jetës kufizohet në rendjen e ethshme për të pasur sa më shumë që të jetë e mundur.
Ripohoi, kështu, se bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e veçanta duhet t’u japin qytetarëve të tyre sinjalet e duhura për t’iu kundërvënë me sukses mënyrave të dëmshme të përdorimit të ambientit.







All the contents on this site are copyrighted ©.