Letër e ipeshkvijve të Gjermanisë e të Polonisë, 70-vjet pas Luftës II Botërore.
(30.08.2009 RV)“Shtatëdhjetë vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1939, forcat
e armatosura të Gjermanisë pushtuan Poloninë. Nisi kështu Lufta II Botërore. Kanë
kaluar 70 vjet që atëherë, por lufta e pasojat e saj nuk janë shlyer nga kujtesa e
njerëzve dhe e popujve. Madje koha nuk ka arritur akoma t’i mbyllë të gjitha plagët:
disa janë ende të hapura e kullojnë gjak. Duke pasur parasysh se breznitë që shpëtuan
gjallë, dëshmitarë pamorë të atyre viteve, e ata që patën guxim të pendohen e të kërkojnë
falje, dalëngadalë po shkojnë, është e nevojshme të mos i lëmë të shkojnë bashkë
me të vërtetën historike. Kjo e vërtetë duhet ruajtur e pashtrembëruar për breznitë
e reja, sepse prirjet për ta shtrembëruar nuk mungojnë. Kemi nevojë për një bilanc
të ndershëm të mizorive të së kaluarës, por edhe për të hequr dorë nga stereotipet,
që e bëjnë edhe më problematike mundësinë e kuptimit të atyre kohëve e mund ta minojnë
besimin e krijuar me shumë vështirësi ndërmjet polakëve e gjermanëve”. Me këto
fjalë nis Deklarata e përbashkët e kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore të Polonisë
e të Gjermanisë, imzot Jozef Mihalik e imzot Robert Zolih, botuar me rastin e 70-vjetorit
të fillimit të Luftës II Botërore. “Në Evropën Lindore – lexojmë në tekst - kjo
luftë synonte të zhdukte ose të kthente në skllevër popuj të tërë. Për ta realizuar
qetësisht këtë qëllim, u goditën së pari liderët e shoqërisë polake, mendjet më të
ndritura, studiuesit, inteligjencia e, në radhë të parë, kleri, elita e popujve të
Evropës qëndrore e lindore. Sot kujtojmë miliona viktima të kësaj lufte, njerëz të
vrarë, të burgosur, të munduar, sepse kundërshtarë të ideologjisë raciste, besimtarë
të një feje të padëshiruar: hebrenj e rom; njerëz me kufizime mendore e fizike”. Duke
iu drejtuar breznive të reja, Deklarata pohon: “Ndonëse hapat e bëra drejt pajtimit
në 7 dekada kanë sjellë fryte të mira, tmerret e luftës janë ende të freskëta në
kujtesën e njerëzve e të popujve e peshojnë rëndë në marrëdhëniet ndërmjet tyre,
sepse nuk është aspak e lehtë të harrosh e madje nuk duhet harruar. E kjo, edhe pse
në shoqëri e në politikë vërehen prirje, madje tundime, që plagët ende të hapura
të përdoren për të rindezur mëritë e vjetra e, sidomos, për t’i interpretuar ngjarjet
e së kaluarës, në shërbim të interesave politike të së sotmes, duke vijuar keqeshkronjën
e historisë. E kjo mund të çojë në lindjen e diktaturave të reja! Prandaj Kisha
ka vendosur të ngrejë zërin kundër largimeve nga e vërteta historike, duke i ftuar
të gjithë për dialog të vazhdueshëm, për t’i dëgjuar arsyet e të dyja palëve. Gjermanët
e polakët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për ata që vuajnë akoma për shkak të
plagëve të luftës, pushtimit të trojeve polake e përbuzjes së njeriut.Paqja ndërmjet
popujve, e bazuar mbi drejtësinë e pajtimin, nuk na është dhuruar një herë e përgjithmonë
– shkruajnë prelatët – duhet mbrojtur ditë për ditë e mund të lulëzojë vetëm në se
të gjithë ne jemi të gatshëm t’i njohim përgjegjësitë tona. Dhurata e paqes duhet
jetuar më parë në zemrat tona, që të përhapet pastaj në familjet tona e në familjet
e kombeve tona. Pajtimi i popujve tanë është dhurata më e madhe, që mund t’i bëjmë
Evropës së bashkuar”.